Hapësire reklamuese

Kulture & Art

Gazetarja kritike me kandidatët për Teatrin Kombëtar, çfarë i thanë jurisë Altin Basha, Elma Dorezi dhe Kiço Londo; Bojkoton Ben Derhemi

Shkruar nga Newsbomb

Ministria e Kulturës organizoi më 18 nëntor 2022 audiencë me konkurrentët për kreun e Teatrit Kombëtar. Pas gati nëntë vjetësh nën drejtimin e Hervin Çulit, konkurrimi bëhet me platformë dhe faza e dytë ishte intervistimi i kandidatëve nga juria.

Gazetarja Elsa Demo ka bërë reportazh, shkrim kritik, pas raportimit ipse dixit, në ligjëratë të drejtë apo të zhdrejtë, për platformat e secilit kandidat; vendosja e të thënave të tyre në kontekst dhe më pas pyetja: pse nuk i besohet këtij procesi?

Audienca nis me Altin Bashën. Ai bën një biografi të shkurtër të formimit të tij teatror. Ai deklaron, së pari, se Teatri Kombëtar duhet të jetë teatër i gjithë shqiptarëve që ka për detyrë ta udhëheqë sistemin teatror.

Raimonda Bulku në juri pyet se sa fort do punojë Altin Basha për menaxhimin e teatrit. Ai i kujton se lidhjet me teatrin nuk i ka thjesht profesionale. “Ti e di”, thotë ai, “se babai im ka punuar aty. Unë jam rritur në oborrin e Teatrit Kombëtar. Oborri i lojërave të mia ka qenë oborri i Teatrit Kombëtar.” Nisur edhe nga “kjo”, ai kërkon trajtim më të denjë ekonomik, përndryshe artistët do vazhdojnë “të bëjnë disa punë njëherësh dhe nuk do kenë në fokus punën në ansambël në TK”.

Luiza Xhuvani në juri e pyet se çfarë do të bëjë ai për repertorin e teatrit, sepse pas shfaqjes së njëzetë, veprat vdesin. Kandidati përgjigjet shpejt e shpejt se, teatri i repertorit është një çështje krejtësisht teknike. “Ne nuk kemi hapësira ku të magazinojmë dekoret e shfaqjeve teatrore. Duhet konsumuar një shfaqje për t’i lënë radhën tjetrës. Kjo duhet zgjidhur me Ministrinë e Kulturës, për të krijuar një hapësirë për dekoret. Salla që kemi nuk na e jep këtë mundësi, ndërkohë mundësinë për teatër repertori e kemi, aktorët i kemi në trupën stabël.”

Atij nuk i kërkohen gjëra që nuk i dëshmon dot. Ai është krijuesi i njërës prej kompanive të para private të teatrit alternativ “Oaz”, me pak vite jetë aktivitet të shënuar. Bashkë me Hervin Çulin e ndonjë tjetër, ai ka shprehur publikisht besimin në politikat e Edi Ramës ministër i Kulturës për reformën në artin skenik në vitet 1998-2000, politikë që kishte në thelb dobësimin e publikes, mbështetjen e privates dhe jo bashkëjetesën e tyre në konkurrencë.

Toni i tij është i qetë e i sjellshëm para jurisë, e cila pyetjen me “si” e përdor vetëm në formën: “Si do t’ia arrish ti kësaj pune?”. Edhe toni i jurisë, si për të shmangur të çara a ndonjë plagë, është i kujdesshëm, gati i dhembshur, sikur thotë: “Je i sigurt, bir, për këtë sakrificë? Ai përsëdyt retorikën. Evidenton problemin dhe në kuadrin e një gjoja analize, krahasimet i bën me epokën e para nëntëdhjetës. Shkaqet e çështjeve të sotme të teatrit i shtyn thellë e më thellë, në komunizëm a në nëntëdhjeteshtatën, aq sa të mjegullohen përgjegjësitë. Në asnjë rast ai nuk identifikon ndonjë përgjegjësi të afërt dhe aktuale të drejtuesit të Teatrit Kombëtar, të Ministrisë dhe Qeverisë.

Në rini Basha shkëlqeu për prirjen drejt teatrit alternativ, kur kompanitë private dhe të pavarura teatrore por kontribuonin në pasurimin e prodhimit teatror, metodologjive dhe risive në aktrim, regjisurë, dramaturgji. Por sot nuk po i  bie ndërmend gjë për valën e produksioneve të pavarura e që nesër ai do t’u japë skenën me qira. Temën “të rinjtë” e kalon me një paragraf. Nuk përmend hapësirat publike që një teatër i ri gjurmon: natyrë, fabrika të zbrazëta, vende të braktisura. Nuk e kam fjalën për rastet kur turbina bëhet sallë, po për kapërcimin e ndërtesave teatrore konvencionale.

Deklaratat për marrëdhëniet juridike me aktorët, i ka kontradiktore. Një herë thotë që kontratat duhet të jenë afatshkurtra, që aktorët të kenë mundësi të lëvizin nga një teatër në tjetrin, herë tjetër thotë: po, ne kemi mundësi për teatër repertori, sepse trupën stabël e kemi që e kemi, madje aktorët duhet të trajtohen mirë financiarisht, sa të mos kenë nevojë për pesë punë paralele. Ai nuk e prek rolin e Qeverisë, që vendos për pagat, as rolin e Ministrisë që propozon shpërblimin për cilësinë artistike, siç e pati në dorë Mirela Kumbaro heqjen e “bonusit”.

Basha është i qetë e i sjellshëm. Nuk ngjall kurrfarë skepticizmi para jurisë. Edhe juria ka një besim tek ai që i lexohet në pyetje dhe në ballë. Anëtarja e jurisë Xhuvani nuk e vë në dyshim përgjigjen e kandidatit kur thotë se, teatri i repertorit varet nga dekoret dhe magazinat, që ArTurbina, ku u investuan mbi 45 milionë lekë, nuk i ka. Ajo është në konflikt interesi si anëtare e bordit artistik të Teatrit Kombëtar Eksperimental. Nga ana tjetër, ajo nuk i ka shprehur ndonjëherë shqetësimet për teatrin edhe kur e ka pasur tribunën e deputetes.

***

Elma Dorezi e njeh teatrin më së shumti në mënyrë artizanale, duke e bërë zejen dhe jo duke e teorizuar atë. Sapo mbaroi studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë, ajo ra në sy në Festivalin e Teatrit të të Rinjve dhe për disa vjet, pa ndërprerje, ka punuar me aktorë karriere dhe me të rinj që sot janë aktorë aktivë. Ka punuar me tekste premierë të autorëve shqiptarë, ka folur nëpërmjet tyre gjuhën e saj. Teatri Kombëtar besoi dy herë tek ajo, derisa marrëdhënia mes tyre u pre me thikë.

Sinqeriteti i Elmës thotë se gjërat mund të përmirësohen disi, mjafton të mos bësh atë që paraardhësit e tu kanë bërë. Nga pyetjet e jurisë nuk arrin të kuptosh çfarë kanë lexuar ata në platforma, për çfarë duhet ngacmuar kandidati dhe si duhet ballafaquar ai me realitetin e gjërave.

Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, thotë se e ka lexuar platformën e Elmës dhe i duket “shumë interesante”. Ajo ka veçuar argumentin e kandidatit Basha dhe e formulon në formë pyetje për kandidaten pasardhëse: Çfarë do të bëjë Elma Dorezi për ndërkombëtarizimin e teatrit? “Do bazohem në eksperiencat e mia personale. Unë jam përballur me kultura të ndryshme në vendet ku pjesët e mia janë shfaqur. Në Kinë kur ishim në vitin 2017, në Austri, Rumani, derën e kemi lënë të hapur për teatrin shqiptar.”

Po për plagjiaturën, pyet Raimonda Bulku, çfarë do bëjë Elma? “Plagjiatura është ndër gjërat që hasim në produksionet e teatrit dhe këtë problem e kam ngritur gjithmonë. Ka një ligj “Për të drejtën e autorit”, po sa funksional është ai për një imazh teatral të vjedhur, për një regji apo kostum qoftë, i vjedhur? Kjo mund të verifikohet me një kërkim të thjeshtë në internet. Është një ndër çështjet që, kushdo që të jetë në drejtimin e Teatrit Kombëtar, duhet ta marrë seriozisht. E ndoshta plagjiatura është arsyeja e vërtetë që ne stepemi për të marrë pjesë në festivalet jashtë. Dhe mbetemi brenda për brenda.”

Kandidatja thotë se është në gjendje të rrisë jo vetëm numrin e produksioneve me aq buxhet sa jep Ministria, diku rreth 10 milionë lekë, po edhe shikueshmërinë. Ajo kujton se në mandatin e parë të drejtorit në ikje, shikueshmëria ka qenë e lartë. Hervin Çuli e gjeti Teatrin Kombëtar me 13 mijë bileta dhe e çoi në 50 mijë bileta. “Nga këto, 17 mijë bileta, kanë qenë për dy shfaqjet që kam vënë në skenë. Nga ana tjetër, me strukturën që ka TK, 28 aktorë dhe 2 regjisorë me rrogë, është mëse e përballueshme që me një buxhet minimal të mbulohen shpenzimet për kostumografi dhe skenografi.”

Ajo thotë se do të përdorë thirrjet e hapura për projekte, që do të gjykohen nga një bord artistik i specializuar. Drejtori aktual, pas mandatit të parë, nuk e zbatoi më thirrjen e hapur. Elma vetë ka katër vjet që pret të hyjë në konkurs.

“Si do ta bëni ju këtë? Si t’i rrisni të ardhurat përtej buxhetit të shtetit?” pyet pjesa tjetër e jurisë, Arian Avrazi, drejtor i Drejtorisë së Konceptimit dhe Fizibilitetit të Projekteve të Kulturës (!) dhe Elira Dani, drejtore e Drejtorisë së Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Kuadrit Ligjor (!).

Buxhetet dhe aksionet juridike-financiare kërkojnë vullnet politik dhe para tij një drejtor teatri nuk llogaritet, së paku, jo pa ngritur zërin me guxim për një të drejtë.  Pas pyetjeve të tilla që zbulojnë një juri inkompetente dhe tartufe, ka një nëntekst parabolik: je i lirë të hysh, por jo të dalësh; je e lirë të konkurrosh për të drejtuar një teatër, po si do t’ia bësh pa e thyer kokën ose më mirë të thuash, pa e përkulur shpinën? Ligjet nuk janë në favorin tënd dhe vëmendjen e kryeministrit për teatrin e ke vetëm që ai të tallet.

Juria bën sikur nuk e vëren se po qelbet në Danimarkë, do thoshte Dario Foja.

***

“Quhem Kiço Londo. Kam lindur më 20 mars të vitit 1961, por akoma nuk e kam kuptuar përse.” Nga matanë skype-it, Luiza Xhuvani thërret se nuk e dëgjon kandidatin. Kandidati, regjisor i Xhuvanit në sa e sa projekte, përsërit më të njëjtin ton: “Quhem Kiço Londo. Kam lindur më 20 mars të vitit 1961, por akoma nuk e kam kuptuar përse. Ç’t’ju them?!”

Ai nis të tregojë sipas një formule përrallash. Platforma e tij bën fjalë për një Teatër Fantastik Kombëtar.

“Termi fantastik”, thotë ai, “është futur për të krijuar një gjendje të re, për atë çka do ta priste Teatrin Kombëtar, nëse do kisha mundësinë ta drejtoja në katër vitet e ardhshme. Është një teatër gjithëpërfshirës në të cilin realiteti që vjen në skenë, zbulon realitetin në jetë. Duke hequr dorë nga tradita e deritanishme e teatrit shqiptar në përgjithësi, sipas së cilës teatri pasqyron realitetin, në teatrin fantastik, realiteti i përditshëm nuk pranohet. Mendohet që është naive dhe banale që njerëzit që vijnë në teatër, pasi kanë paguar taksën dhe pasi kanë paguar biletën, rehatohen dhe presin diçka të madhe, pasqyrimin e realitetit.

“Kiço, shumë shkurt”, ndërhyn Raimonda Bulku. “Ti e di ç’është teatri. Çfarë nuk ke bërë dhe çfarë do doje të bëje?”

“Asnjëherë nuk mjafton asgjë”, përgjigjet kandidati. Edhe për dramën shqipe kemi koncept të gabuar. Ne mendojmë se pa dramën shqipe nuk do ketë Teatër Kombëtar. Jo, pa një Teatër Kombëtar të rëndësishëm, nuk do të ketë dramë shqipe. Të gjitha veprat e fondit të artë kanë lindur në periudhën 1946-‘73.

Relapson juria: “Si mund ta rrisni buxhetin e Teatrit dhe si do ta ndryshoni shpërblimin për cilësinë artistike, përtej asaj që përcakton qeveria?”

“Do ta konsideroj fondin e Ministrisë 70% të buxhetit”, thotë kandidati. “30% do t’i siguroj vetë nga përqindja e biletave dhe donacionet. Kam një përvojë. Forma e kleringut, është një mënyrë. Të ardhurat në arkë do shtohen duke përdorur çdo lloj mënyre, pa shkelur ligjet.”

“Cili është çelësi i teatrit fantastik?”, pyet Xhuvani.

“Dashuria” përgjigjet kandidati.

“Përtej kësaj” thotë aktorja.

“Po të kujtoj vargjet e Lasgushit”, thotë kandidati, pa e ngritur vështrimin: “As rroj as vdes, po jam pa mend. Unë jam pa mend për teatrin.”

Kiço Londo ka drejtuar Teatrin Kombëtar në vitet 2003-2005; Qendrën Kulturore “Tirana” – Teatri i Metropolit në vitet 2005-2011 dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental në vitet 2014-2020. Në të trija herët i emëruar pa konkurs nga partia në pushtet, e majta. Ndryshe nga çfarë deklaron në audiencë, për drejtorët që fshihen pas bordeve, është pikërisht rasti i tij. “Nuk jap llogari si do ta drejtoj Teatrin”, janë deklaratat e tij publike të vitit 2005, kur shpallte se po sillte modelin anglez të administrimit të teatrit pa bord artistik. Premtonte dikur si kandidatët sot: shtim i premierave, politikë repertori, turne nëpër Shqipëri, Maqedoni e Kosovë. Premierat i shtoi, komeditë po ashtu, politikë repertori nuk bëri, turne jo, bashkim me sivëllezërit shqiptarë jashtë, jo.

Ai fliste dje për rolin e kryeshërbëtorit të cilin e ka shpërdoruar pa teklif. Ka vënë vepra në skenat që administronte, çdo sezon nga një premierë. Deri në tri arriti me Teatrin Eksperimental vitet e fundit.

Londoja është lajkatar i aktorit. Është admiruar nga të rinj të sapo diplomuar, që kërkonin një vend pune në zanat dhe nga aktorë që, për shkak të konflikteve me drejtuesin e Teatrit Kombëtar apo me “Portokallinë” e Bashës, kalonin në krahun e Londos.

Zgjedhja e drejtorit të Teatrit Kombëtar ka për të qenë më e lehtë pas bojkotit dhe padurimit të kandidatit të katërt, Arben Derhemi. Juria vlerëson me 60 pikë platformën dhe me 40 pikë intervistën e kandidatit. Por, nuk mund të mbyllet një epokë njëzet vjeçare me Çuli-London në krye të teatrove, pa pasur edhe Bashën në këtë luadh kohëngrënësish.

Arben Derhemi në momentin e fundit u largua nga Ministria e Kulturës, duke mos prezantuar platformën e tij për drejtimin e Teatrit Kombëtar. Kjo nuk e përjashton atë nga gara, por i heq pikët e intervistës përballë jurisë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu