
Gazetari investigativ Artan Hoxha thotë se ish-zyrtari i FBI-së Charles McGonigal, nën akuzë tashmë për bashkëpunim me rusët, ka intervistuar një politikan shqiptar në Vienë.
Hoxha tha se McGonigal ka qenë i shoqëruar nga një prokuror i Departamentit të Drejtësisë në SHBA, kur në Vienë janë takuar me një politikan shqiptar dhe e kanë intervistuar. Rolin e përkthyesit në këtë takim e ka luajtur Agron Neza.
Ky i fundit është ish-agjent i shërbimeve sekrete shqiptare që prej vitesh jeton në SHBA dhe së fundmi është akuzuar se i ka dhënë McGonigal 225 mijë dollarë për ta nxitur të nisë hetimin ndaj parave ruse të lobimit të Lulzim Bashës.
Hoxha tha se nuk dihet çfarë dëshmie ka dhënë politikani shqiptar gjatë takimit me McGonigal dhe prokurorin amerikan në Vienë, por kjo dëshmi nuk i është vënë më pas në dispozicion FBI-së amerikane.
“Ne duhet të kemi një hetim shqiptar, por nuk e kemi praktikë këtë punë, nuk e di çfarë e pengon një prokuror të SPAK-ut, apo prokuror të thjeshtë.
I pandehuri McGonigal dhe një prokuror nga Departamenti i Drejtësisë, kanë intervistuar një politikan në Vienë, rolin e përkthyesit këtu e ka luajtur Agron Neza. Një prokuror i Departamentit të Drejtësisë udhëton në SHBA dhe merr deklarimet e politikanit shqiptar. Në çështjen Muzin, Agron Neza rezulton të jetë burim.
Ish-zyrtari i FBI-së nuk e ka vënë në dijeni FBI-në për këtë materia, çfarë është marrë aty. Ata janë munduar të ruajnë sekretin. Kjo është depozituar dhe është atje, por nuk i është vënë në dispozicion FBI-së. Ne dimë që është bërë një takim në territor neutral. I është dhënë një prokurori, se çfarë është kjo. Kjo është një nga pikëpyetjet më të shumta që ka kjo çështje”, deklaroi Hoxha në “News 24”.