
Gjyqi për kryebashkiakun e Himarës, bëri që ditën e djeshme në Tiranën të vinin gazetarë grekë për të raportuar nga afër për këtë çështje.
Gazetari i “Skay”, Kristos Xiunos ka qenë dje jashtë gjykatës për të folur për çështjen e Belerit. Mirëpo grekut i ka tërhequr vëmendjen edhe zhvillimi i Shqipërisë gjatë viteve të fundit.
Ai është shprehur se ka zhvillim në sektorin e ndërtimit, teksa tha se njerëzit janë të veshur mirë dhe se në qytete qarkullojnë automjete të reja, të tipit të fundit.
“Kam qenë para shumë vitesh në Tiranë por kjo që shoh këtë herë është e pakrahasueshme. Ka ndryshime të jashtëzakonshme, shoh një zhvillim të madh, ka gjithandej lëvizje dhe ndërtime, makina të reja, të rinj të veshur mirë, nuk ka të krahasuar kjo që shoh me Shqipërinë që njohim”, tha ai.
[video width="1144" height="512" mp4="https://cdnimpuls.com/newsbomb.al/wp-content/uploads/2024/03/bandicam-2024-03-06-10-45-44-423.mp4"][/video]
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi masën 2 vite burg për kryetarin e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin, pasi akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhjet lokale të 2023-it. Gjatë seancës së zhvilluar këtë të martë GJKKO vendosi mos zbatimin e masës së kërkuar nga SPAK, me 2.6 vite burg ndaj Belerit.
Ndërsa, për bashkëpuntorin dhe mikun e Belerit, Pandeli Kokaveshin, gjyqtarja Atalanta Zeqiri, e dënoi me 1.6 vite burg, të cilat t’i konvertohen në 3 vite shërbim prove. Kjo masë u vendos për Kokaveshin pasi ai dhe fëmija i tij i mitur kanë probleme shëndetësore.
Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 2 vite e 6 muaj burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, ndërsa 2 vite për Pandeli Kokaveshin të cilat t’i konvertoheshin në 4 vite shërbim prove. Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi në seancën që u mbajt më 28 shkurt kërkuan pafajësi ose minimumin e dënimit që parashikon vepra penale.
Fredi Beleri ra në pranga më 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi u kap në flagrancë duke premtuar dhe dhënë para për të blerë vota. Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin me metoda speciale hetimi, duke përdorur agjent të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra. Beleri dhe bashkëpuntori i tij, Pandeli Kokaveshi u arrestuan në kushtet e flagrancës. Nga hetimet e kryera u mësua se një agjent i infiltruar i Policisë ka përgjuar pazaret që Beleri ka bërë me persona pranë shtabit të tij.
Pavarësisht se ndodhet në qeli Beleri arriti të merrte më shumë vota se kandidati i socialistëve Jorgo Goro, duke u mandatuar nga KQZ si kryetari i Bashkisë së Himarrës. Mirëpo, ende nuk i është lejuar që të betohet. Theksojmë se çështja “Beleri”, mos lejimi i tij për t’ u betuar ka shkaktuar tensione me fqinjët. Që prej aso kohe kur kryebashkiaku i Himarës ra në pranga, pala greke ka ashpërsuar tonet ndaj vendit tonë. Në dhjetëra deklarata Athina zyrtare ka theksuar se nëse Shqipëria pengon Belerin të marrë detyrën, do të ketë pasoja lidhur me procesit të anëtarësimit. Ndër të tjera, ata janë shprehur se arrestimi i Belerit një ditë para votimeve, interpretohet si frikësimi votuesve, dhe se mbajtja në burgosje është një shkelje e procesit të rregullt ligjor.