Aktivistë dhe gazetarë janë mbledhur ditën e sotme para Kryeministrisë në një protestë kundër sjelljes së dhunshme të Kryeminsitrit Edi Rama ndaj gazetares Ambrozia Meta.
Incidenti fizik ndodhi në deklaratën e të martës së kaluar 19 mars në ambientet e selisë së Partisë Socialiste ku kryeminsitri Rama preku fizikisht gazetaren Ambrozia Meta.
Aktivistët dhe gazetarët me pankarta në duar dhe thirrje për lirinë e medias, protestuan edhe për kërcënimet ndaj gazetarëve Ola Xama dhe Isa Myzyraj.
“Liria e fjalës, liria e medias nuk ka qenë kurrë më e kërcënuar se sot”, – tha gazetarja Aurora Velaj.
Përveç dy rasteve ndaj Ambrozia Metas dhe Ola Xamas, ata kërkuan shmangien e gjuhës denigruese dhe përçmuese të kryeministrit ndaj gazetarëve dhe medias në tërësi.
Një javë më parë reagoi edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptar.
“Refuzimi dhe shmangia e Kryeministrit për përgjigje konkrete u bashkëshoqërua me një gjuhë intimiduese dhe me cënim të etikës, deri në cënim të integritetit fizik të gazetares”, - thotë deklarata.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj këtij momenti dhe shpreh solidaritetin me kolegen Meta, e cila spikat si reportere kurajoze në kërkim të fakteve dhe të dhënave që synojnë transparencë publike dhe llogaridhënie prej qeverisësve, - theksoi UGSH.
Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Prekja fizike e gazetares është cënim i Kodit të Etikës dhe i integritetit fizik, zoti Kryeministër!
Tiranë më 19 Mars 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj replikave të Kryeministrit Edi Rama me gazetaren Ambrozia Meta, e cila në të drejtën e vet profesionale këmbëngulte për një përgjigje konkrete prej kryeministrit, në konferencën për shtyp me gazetarët në datën 19 Mars 2024. Kryeministri jo vetëm që nuk jepte një përgjigje konkrete për pyetjen specifike, por me një gjuhë replikuese dhe nga pozita e edukuesit moral shmangej nga detyrimi për të dhënë një shifër konkrete për përfitimet e mundshme publike prej njerit nga projektet më të mëdha në fushën e turizmit shqiptar.
Refuzimi dhe shmangia e Kryeministrit për përgjigje konkrete u bashkëshoqërua me një gjuhë intimiduese dhe me cënim të etikës, deri në cënim të integritetit fizik të gazetares.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj këtij momenti dhe shpreh solidaritetin me kolegen Meta, e cila spikat si reportere kurajoze në kërkim të fakteve dhe të dhënave që synojnë transparencë publike dhe llogaridhënie prej qeverisësve.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë