Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Gati projektligji, gjobë e sekuestro malli kush tregton marka të falsifikuara

Shkruar nga Newsbomb
Gati projektligji, gjobë e sekuestro malli kush tregton marka të

Projektligji i hedhur për Konsultim Publik nga Ministria e Financave ka si qëllim të ndalojë tregtimin e markave imitim dhe të falsifikuara.

Me këtë projektligj parashikohen penalizime në rast të nxjerrjes në treg të produkteve të kopjuara nga markat origjinale, kjo pasi ky “treg i zi” po dëmton pronarin e ligjshëm të markës origjinale.

Ministria e Financave përpos synimit të përafrimit të legjislacionit me BE, ka si qëllim të ndalojë tregtimin e produkteve të falsifikuara, dhe parashikon padi për falsifikatorët dhe bllokim të mallit që kanë nxjerrë në treg.

Nuk do të lejohet tregtim i veshjeve që janë imitim i firmave me emër, dhe jo vetëm.

Në projektligj citohet se ky lloj tregtimi po dëmton konkurrencën e drejtë si dhe po cënon interesat e konsumatorëve.

“Këto përpjekje negative përveçse dëmtojnë interesat ekonomike të pronarëve të markave me reputacion në treg, ato dëmtojnë dhe deformojnë gjithashtu tregun dhe interesat e konsumatorëve”,-  thuhet në relacion.

Në këtë projektligj ju njihet e drejta pronarëve të markave të ngrenë padi në gjykatë ndaj tregtarëve që abuzojnë, si dhe të kërkojnë dëmshpërblim për dëmin që ju është shkaktuar.

“Projektligji i kushton një rëndësi të veçantë masave për mbrojtjen e markave dhe të drejtave të pronarëve të markave nga cenimet që u bëhen atyre nga spekulatorë dhe manipulatorë të tregut. Në këtë aspekt, projektligji parashikon të drejtën e pronarëve të markave që cenohen nga veprime shkelëse të ngrenë padi, të paraqesin prova dhe t’i sigurojnë këto, të kërkojnë marrjen e masave të përkohshme për parandalimin e një shkeljeje, nxjerrjen jashtë qarkullimit, konfiskimin dhe vënien nën kontroll të mallrave që dyshohet se shkelin të drejtat e markave të regjistruara më parë dhe kështu me radhë”, - thuhet në relacion.

Në rastet kur gjykata vendos në favor të markave, kërkohet edhe dëmshpërblim i tyre nga abuzuesi. Konkretisht në nenin 134 të këtij projektligji është parashikuar edhe dëmshpërblimi i pronarëve të markave nga shkelësit, dhe dëmi do të përllogaritet duke marrë në konsideratë, dëmin efektiv dhe atë real, fitimin e munguar të pagës së dëmtuar për shkak të përfitimit të padrejtë të shkelësit, si dhe vlerësohet edhe dëmi moral, cenimi i emrit apo dëmi reputacional tregtar.

“Me kërkesë të palë së dëmtuar, gjykata urdhëron shkelësin që është përfshirë në veprimtari shkelëse të paguajë shpërblimin e dëmeve të shkaktuara si pasojë e shkeljes së të drejtave të markës tregtare. Në përllogaritjen e masës së shpërblimit të dëmit, gjykata mban parasysh çdo dëm efektiv dhe real, duke përfshirë fitimin e munguar të palës së dëmtuar, çdo përfitim të padrejtë të realizuar nga shkelësi dhe, sipas rastit, dëmin moral që i është shaktuar palës së dëmtuar nga shkelja, cënimi i emrit dhe reputacionit tregtar, etj”, - thuhet në nenin 134 të projektligjit.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese