Hapësire reklamuese

Aktualitet

Gati apartamentet e para te “5 Maji”, Veliaj inspekton punimet: “Familjet që marrin çelësin, e festojnë Vitin e Ri në shtëpitë e reja

Shkruar nga Newsbomb
Gati apartamentet e para te “5 Maji”, Veliaj inspekton punimet:

Apartamentet e sapondërtuara në lagjen “5 Maji”, janë gati të mirëpresin familjet e para që do ta festojnë natën e Vitit të Ri në shtëpitë e reja. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot detajet e fundit në tre seksione godinash, të cilat kanë përfunduar. Ai tha se ky është një nga projektet më ambicioze në Tiranë.

“Janë tre sekseionet e para sepse janë grupe pallatesh në zonën e ‘5 Majit’, shumë afër shkollës “Ardian Klosi”, shumë afër urës së re që do të na lidhë me Kamzën, dhe do ta kthejë gjithë këtë komunitet në një portë hyrëse të Tiranës. Krijimi i kësaj infrastrukture do ta shndërrojë në një qendër ekonomike të vetme, Tiranën me Kamzën, dhe nyja që do të na lidhë, do të jetë gjithë zona e ‘5 Majit’”, tha kryebashkiaku.

Veliaj shtoi se është momenti që gjithsecili të mendojë për familjen dhe shtëpinë e tij, dhe jo për “bravën e partisë”.

“Nëse ka ende nga ata që mendojnë për bravën e partisë më shumë sesa për bravën e shtëpisë së vet, e lus me dorën në zemër të konsiderojë se familja dhe fëmijët e tij janë partia më e rëndësishme. Këto partitë e tjera shkojnë e vijnë, por partia më e rëndësishme është shtëpia jote, familja jote. Ftesa për të gjithë qytetarët është që, ata që tashmë me dakordësinë e tyre kanë zgjedhur vetë me short shtëpinë e ardhshme, të bëjnë gati mobiljet, që këtë fundvit të futen në shtëpinë e re. Sigurisht, ne do i ndihmojmë edhe me administratorë, edhe me pastrues, por edhe me stafet e kompanive që janë ende në kantier”, sqaroi Veliaj.

Në fund, kreu i Bashkisë tha se mezi pret që së bashku me kryeministrin Rama të japin çelësat e familjeve që tashmë kanë përzgjedhur me short shtëpitë e tyre. Teksa, deklaroi se lajmi tjetër i mirë është se lagjja e re “5 Maji” do të jetë një urë lidhëse mes Kamzës dhe Tiranës.

“Mezi pres që në fund të vitit, bashkë me kryeministrin, të japim çelësat e shtëpive për familjet që tashmë e kanë përzgjedhur me short, pastaj për ta kthyer gjithë vitin tjetër në një vit sulmi, në një front të madh pune, ku ne e mbarojmë 100% të gjithë këtë infrastructure, jo vetëm për banorët, por edhe për t’u lidhur me Kamzën. Nga ana tjetër e lumit ne lidhemi menjëherë me “Unazën e Re”, që do të thotë se për punë minutash do të jemi ose të “Shqiponja’, ose te “Rruga e Arbrit” në Tufinë, ose për të vazhduar pastaj në Farkë të Madhe dhe për t’u rikthyer prapë në Selitë, edhe në lidhjen me Astirin”, përfundoi Veliaj.

Lagjja e re “5 Maji” do të kthehet në një qendër të re urbane për plot 11 mijë banorë, me apartamente cilësore, njësi shërbimesh tregtare, shkolla, kopshte, çerdhe, godina institucionesh, parqe.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll