Nderimi “Qytetar nderi”, për ish deputetin e PS, Gafur Mazrekun, atentatorin e Azem Hajdarit ka ngjallur të tjera tensione në Tiranën zyrtare.
Partia Demokratike e konsideron këtë vendim si akt kriminal të kryeministrit Rama, ndërsa ka paralajmëruar një përgjigje të fortë. Sakaq, nga ana tjetër, kryeministri Rama është distancuar nga ky vendim dhe i ka kërkuar Prefektit të mos firmosë vendimin. Ndërsa vendimi është dënuar edhe nga Presidenti, Ilir Meta.
Lidhur me çështjen që ndezi debat politik ka folur kryebashkiaku i Hasit, Adem Lala. I kontaktuar nga Shqiptarja.com, kryebashkiaku i Hasit mbështet nderimin e Gafurr Mazrekut, teksa thekson se Tirana ka probleme më të mëdha se ky vendim.
“Tirana ka probleme më të mëdha se këtë problem. Është një vendim i marrë nga këshilli bashkiak. Për mendimin tim është një vendim i drejtë për kontributin që ka dhënë z. Mazreku për komunitetin që ka përfaqësuar. Vlerësimi ka qenë lokal dhe jo kombëtar. Z. Mazreku, pasi ka kryer dënimin është zgjedhur kryetar i Komunës Fajze të Hasit. Edhe një herë, vlerësimi është bërë për kontribut lokal”, është shprehur ai.
