Hapësire reklamuese

OpEd

Gabimet e qeverisjes në pesë vite

Shkruar nga Newsbomb
[caption id="attachment_212330" align="alignnone" width=""]Kasem Seferi[/caption]

Nga Kasem Seferi

Kriza e madhe financiare dhe ekonomike, në fakt u shfaq befas në vitin 2007 dhe në Shqipëri, jehona e asaj që, me humor dhe ironi, është portetizuar me thënien: “Kur tështin SHBA ftohet e gjithë bota.”, erdhi në tetor 2008, tërheqjen e menjëhershme të rreth 540 milion eurove nga bankat e nivelit të dytë.

Pikërisht atë vit, një ekip me personalitete të njohur në fushën e politikave ekonomike dhe monetare, përgatiti një Raport mjaft domethënës.

Duke analizuar vendet e zhvilluara, vendet në zhvillim dhe vendet e vogla në mënyrën më dashamirëse propozonin një sërë sugjerimesh për çfarë nuk duhej bërë dhe çfarë nuk duhej bërë.

Duke qenë në pozicionin e Këshilltarit Ekonomik të Presidentit të Republikës, i përkrahur nga ky i fundit, në mënyrë të përmbledhur, e kam botuar në disa të përditëshme si dhe në Revistën “MONITOR”.

Pas pesë vitesh qeverisje diletante, nga diletantë që nuk marrin mundimin të lexojnë dhe të përthithin këto lloj sugjerimesh dobiprurëse, po i rirendis, me qëllim që çdo lexues ta bëjë vetë krahasimin me çfarë ka bërë dhe po bën qeverisja e sotme Rama 1 plus 1 vjet Rama 2.

Që prej vitit 1950, 13 ekonomi janë rritur me një mesatare prej 7 për qind në vit, për më shumë se 25 vjet, ose për një kohë më të gjatë dhe me këtë ritëm zgjerimi, një ekonomi pothuajse dyfishohet në madhësi çdo dekadë.

Raporti flet mbi këtë lloj rritje të lartë ekonomike të qëndrueshme: shkaqet e tij, pasojat dhe dinamikat e brendshme dhe ndokush mund ta quante këtë një raport mbi “mrekullitë ekonomike”, por termi është një emër i papërshtatshëm; ndryshe nga mrekullitë, rritja e lartë e qëndrueshme ekonomike, mund të shpjegohet dhe shpresohet të përsëritet.

Rritja, në vetvete, nuk ka fund, por bën të mundshme arritjen e objektivave të tjerë të rëndësishëm për individët dhe shoqëritë; rritja ekonomike mund të shpëtojë njerëz në masë nga varfëria, puna e vështirë dhe e mërzitëshme, gjë që asgjë tjetër nuk e ka bërë; rritja ekonomike krijon, gjithashtu, burime për të mbështetur kujdesin shëndetsor, arsimin dhe të tjera Qëllime të Zhvillimit të Mileniumit, në të cilat është e angazhuar bota.

Shkurt: pikpamja se, rritja ekonomike, në qoftë se nuk është e mjaftueshme, është një kusht i domosdoshmëm për zhvillim më të gjërë dhe për zgjerimin e fushës së veprimit të individëve për të qenë krijues dhe prodhimtarë.

Vendet në zhvillim nuk mund të rriten pa mbështetjen e ekonomive të përparuara. Ato kanë nevojë për të hyrë në sistemin e hapur të trajnimit global.

Ata mund të kenë nevojë, gjithashtu, për një liberalizim të promovimit të eksporteve të tyre, derisa ekonomitë e tyre të kenë maturuar pozicionin e tyre dhe të jetë përmirësuar pozicioni i tyre konkurrues.

Suksesi i shumë vendeve në zhvillim kohët e fundit ngrinte një pyetje të vjetër me një urgjencë të rinovuar: “A ka kufizime natyrore për rritjen ekonomike?”.

Ngritja e çmimit të prodhimeve sugjeronte që dhuratat botërore të burimeve natyrore nuk mund t’i përshtateshin lehtësisht aspiratave të vendeve të varfëra.

Po ashtu kërcënimi i ngrohjes globale do të rritej, sikundër zgjerohej industria e botës së vendeve në zhvillim.

Komisioni nuk dinte në qoftë se ekzistonin kufizime për rritjen ekonomike, ose sa bujare do të ishin këto kufizime.

Rritja ekonomike dhe zvogëlimi i varfërisë në të ardhmen do të varej nga aftësia për t’i përballuar ato.

Raporti, veçanërisht, theksonte: Ide të këqia.

Debatet ndihmojnë për të qartësuar idetë e mira, duke i bërë ato subjekt të shqyrtimit të hollësishëm dhe të kritikës konstruktive. Por debatet, gjithashtu, mund të infektohen nga ide të këqia, gjë që pozojnë dy vështirësi për politikëbërësit:

Ata mund t’i identifikojnë idetë e këqia sepse shpesh propozime të rreme tingëllojnë premtuese; atëhere ata mund t’i parandalojnë ato që të mos vihen në jetë.

Më poshtë ofrohet një listë ilustruese e “ideve të këqia”, të përmendura në lidhje me këtë çështje, që sillen në debat dhe që duhet tu rezistohet.

Komisioni i nxit ato si rekomandimet e tij për politika të mira që kualifikohen nga nevoja për shmangur rrugëzgjidhjet e njëanëshme dhe për të hartuar politika për rrethanat e veçanta të vendit.

Këto do të ishin situata dhe rrethana që mund të justifikonin burimin e kufizuar ose të përkohshëm për disa politika të listuara më poshtë, por pesha shumë e madhe e dëshmive sugjeronte që, të tilla politika, përfshijnë kosto shumë të mëdha dhe objektivat e tyre të deklaruara, të cilët shpesh janë të admirueshme, zakonisht shërbehen shumë më mirë nëpërmjet mjeteve të tjera.

Subvencionimi i energjisë përveç rastit për subvencione shumë të kufizuara të synuara për shtresa shumë të varfëra të popullsisë.

Të merresh me papunësinë duke u mbështetur mbi shërbimin civil si një “punëdhënës i burimit të fundit”. Kjo është e dallueshme nga programet e punëve publike, të tilla si skemat e punësimit rural, të cilat sigurojnë një rrjet me vlerë të sigurisë shoqërore.

Të zvogëlosh defiçitin fiskal, për shkak të detyrimeve afatshkurtëra makroekonomike, me anë të shkurtimit të shpenzimeve për infrastrukturën fizike (ose shpenzimeve të tjera publike që japin rezultate shumë të mëdha në një kohë të gjatë).

Sigurimi i mbrojtjes fund e krye të sektorëve të veçantë, industrive, firmave dhe vendeve të punës nga konkurrenca. Ku mbështetja konsiderohet e domosdoshme, duhet të jetë për një periudhë të shkurtër kohe, me një strategji të qartë për të lëvizur te një strukturë vetëmbështetëse.

Vendosjen e kontrolleve të çmimit për të frenuar inflacionin, i cili është shumë më mirë të merret nëpërmjet politikave të tjera makroekonomike.

Ndalimi i eksporteve për një periudhë të gjatë kohe për të mbajtur të ulta për konsumatorët çmimet vendase në kurriz të prodhuesve.

Rezistenca kundër urbanizimit dhe si pasojë investimi i pakët në infrastrukturën urbane.

Injorimi i çështjeve mjedisore në fazat e hershme të rritjes ekonomike në vende që ata janë një “luks i shtrenjtë”.

Matja e progresit arsimor vetëm me ndërtimin e infrastrukturës shkollore ose madje me rekrutime më të mëdha, në vend të fokusimit mbi shkallën e të mësuarit dhe cilësinë e arsimit.

Pagesa jo e mirë e punonjësve civilë (duke përfshirë mësuesit) në lidhje me atë çfarë duhet të sigurojë tregu për aftësi profesionale të krahasueshme dhe duke e kombinuar këtë me promocionin me anë të vjetërsisë në vend të evoluimit të metodave të besueshme të performancës së matur të punonjësve të shërbimit civil dhe duke e shpërblyer këtë.

Rregullimi i varfër i sistemit bankar i kombinuar me ndërhyrje dhe kontrolle direkte jashtë masës. Në përgjithësi, kjo parandalon zhvillimin e një sistemi efiçent të ndërmjetësimit financiar që ka kosto më të mëdha në termat e prodhimtarisë.

Lejimi i një përqindje këmbimi për të vlerësuar jashtë masës para se ekonomia të jetë gati për tranzicion drejt një industrie me prodhimtari më të lartë.

Lista e mësipërme ishte ilustrative dhe jo e shteruar, sepse vende të veçanta duhet të kenë listën e vet të praktikave që duken se janë të dëshirueshme por që janë joefektive.

Shqyrtimi i hollësishëm dhe me këmbëngulje duhet të ishte një element thelbësor në bërjen e një politike të arsyeshme, sepse kjo punë e kujdesshme ka nevojë të dyfishohet për politikat e tipit të listuar më lart.

Koncensione që bllokojnë rrugët këto ditë dimri, konçensione që prodhojnë korrupsion me skandalin e radhës në rastin “Unaza e re” dhe protesta e banorëve të saj, protesta e studentëve, droga dhe implikimi qeveritarëve, prirja për të monopolizuar veprimtarinë qytetare në favor të oligarkëve dhe … gjuha vulgare e qeverisjes dhe një listë e pashteruar të metash dhe gabimesh të tjera, tregojnë qartë pasioni dhe etja për pushtet si maksimizim i përfitimit të politikanëve nuk mund të përshkallëzohet duke injoruar pasionin dhe dëshirën për një jetesë më të mirë të përfitimeve të qytetarëve si rezultat i qeverisjes.

Duke lexuar romanin “Gjenerali” kuptova përsenë e madhështisë së Presidentit francez Sharl De Gol, që politikës I kthehej kur kishte nevojë vendi dhe jo për të lënduar qytetarët e tij. Të largohesh me nder dhe jo si i dhjerë.

*Ekonomist

Sondazh

Poll