Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Apelit, ku disa muaj më parë i dha vulën dhe logon e Partisë Demokratike të Shqipërisë grupimit me në krye Lulzim Bashën. Institucioni më i lartë i drejtësisë në vend ka kthyer sërish për shqyrtim këtë çështje në Gjykatën e Apelit.
Bëhet me dije se është kërkuar që çështje të gjykohet nga një tjetër trupë gjyqtarësh, ku objekti është: “Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar”.
Sikurse bëhet e ditur nga vendimi i zbardhur, Gjykata e Lartë ka vërejtur shkelje proceduriale nga Gjykata e Apelit, duke e bërë në këtë mënyrë të cënueshëm vendimin e dhënë prej saj. Ajo ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk kanë pasur ankimim, ndërsa nuk ka kthyer përgjigje për ato që Grupi i Rithemelimit pretendonte.
Lexo edhe: https://newsbomb.net/gjykata-e-larte-prish-vendimin-e-apelit-i-heq-vulen-nga-dora-lulzim-bashes/
Sikurse evidenton edhe Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit e juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka kompetencën lëndore që të zgjidhë vetë ankimet e paraqitura nga palët pretenduese. Dhe në këto kushte, çështja do të shqyrtohet edhe një herë nga Apeli i Përgjithshëm, por me një trupë tjetër gjykuese.
VENDIMI I GJYKATËS SË LARTË:
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë njofton, se në datën 27.12.2023, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen me nr. 90600-00296-00-2023 akti, me palë kërkues: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, me objekt: “Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar.”
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Kolegji Civil arriti në përfundimin se Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023 ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj.
Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.
Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë.
Në këto kushte, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 480 dhe nenin 485, pika 1, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile, vendosi:
“Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykate, me një trupë tjetër gjykuese”.