Nga Ilir Xhafaj
Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në ethet e fushatës për zgjedhjet vendore të 14 Majit. Partitë politike janë futur në garë me kandidatët e tyre dhe kërkojnë votat e qytetarëve në 61 bashkitë e vendit. Partia Socialiste ka pushtetin në pothuajse të gjitha bashkitë, ndërsa disa prej kandidatëve të saj rikandidojnë për herë të dytë e për herë të tretë, që nga ndarja e re administrative-territoriale e 2015.
Më ndryshe paraqitet situata në kampin opozitar dhe pikërisht këtu qëndrojnë dhe specifikat e veçanta të këtyre zgjedhjeve. Partia Demokratike ka hyrë zyrtarisht e ndarë, me kandidatët e Berishës që janë “strehuar” në koalicion me Ilir Metën dhe ata të Enkelejd Alibeajt, i cili është dhe mbajtësi zyrtar i vulës së PD, por që nuk arriti të nxirrte dot kandidatë as për gjysmën e bashkive.
Madje, edhe ata që ai ka zgjedhur, të paktën tetë janë tërhequr për “arsye familjare” dhe me pretendimin se nuk duan ti shërbejnë më tej përçarjes. Partia e Lirisë e Ilir Metës garon me një pozicion jonatyral, një parti e majtë por në koalicion me të djathtën e përfaqësuar nga Sali Berisha, tek-tuk me ndonjë kandidat të sajin për bashki, por me lista të plota kandidatësh për këshillat bashkiakë.
Me Ilir Metën si kryetar dhe një emër të ri, Partia e Lirisë synon të fuqizohet, përsëri pas një periudhe të gjatë “në firo”. Tirana është padyshim bashkia që rezervon një garë të ethshme në vendoret e 14 Majit. Zyrtarisht janë gjashtë kandidatë, por gara reale pritet të zhvillohet vetëm mes dy prej tyre, Erion Veliajt nga Partia Socialiste dhe Belind Këlliçit nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, i Berishës dhe Metës. Dy politikanë të rinj, njëri që kërkon ta marrë kryeqytetin për një mandat të tretë, e tjetri që braktisi karrigen e deputetit dhe vjen si risi në këto zgjedhje.
Newsbomb.al ka marrë opinionet e katër analistëve të njohur të zhvillimeve politike në vend, Skënder Minxhozi, Ylli Rakipi, Arjan Çani dhe Enton Abilekaj. Ata mendojnë se Tirana do të ofrojë një garë të fortë, jo më shumë për kandidatët, sesa për dozën e lartë të politizimit nga Berisha, Meta dhe Rama.
A ka një garë reale mes Veliajt dhe Këlliçit në Tiranë? Sa ndikon në këto zgjedhje fakti që opozita bojkotoi votimet e 2019 dhe është e përçarë? A është Rama një lider i lindur “me këmishë”, nisur dhe nga zhvillimet e trazuara në rajon? Analistët e medias shqiptare, në disa çështje bien dakord, për të tjerat kanë pozicione totalisht të ndryshme.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e njëzetë të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 Prill dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…