Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” sulmon kreun e grupit të PS Taulant Balla, duke thënë se ai ka dalë hapur në mbështetje të Lulzim Bashës. Sipas grupi të Berishës, kjo është aleanca e pazareve me “Fraksionin e Vulës”.
“Edi Rama dhe Taulant Balla kanë dalë hapur sot në mbështetje të Lulzim Bashës, duke bërë fushatë pro tij në Lushnjë. Balla deklaroi publikisht atë që deri dje mbahej e fshehur: aleancën e pazareve me Fraksionin e Vulës.
Për çdo demokrat në Lushnjë dhe në të gjithë Shqipërinë, ka qenë e qartë prej kohësh se Basha e kishte lënë peng PD-në dhe opozitën në duart e Edi Ramës. Opozita e vërtetë, Shtëpia e madhe e Lirisë që ka ndezur kudo shpresën dhe besimin, i ka detyruar pazarxhinjtë që tashmë të dalin hapur.
Prandaj më 6 Mars të votojmë për t’i rikthyer Shqipërisë opozitën e vërtetë dhe shqiptarëve, shpresën! #shtepiaelirise”, thuhet në deklaratën e “Shtëpisë së Lirisë”.