Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë, FRESSH, feston sot 32 vjetorin e themelimit të tij. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili përgjatë gjithë këtij rrugëtimi të socialistëve ka qenë një figurë e rëndësishme në radhët e saj, ka kujtuar këtë ditë. Në llogarinë e tij në “Facebook”, Balla ka postuar një video, në të cilën janë përmbledhur momentet më esenciale gjatë këtyre 32 viteve.
Në pamjet e publikuara, shfaqet edhe një nga figurat më të rëndësishme të socialistëve, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i kësaj force politike, Fatos Nano.
Nano, dëgjohet teksa thotë para të rinjve të FREESH: Kam kuptuar se ja vlen të jetosh kur njerëzit të duan, por mbi të gjitha ia vlen për të mos humbur dashurinë e tyre.
Ndërsa, Gramoz Ruçi, thoshte se Partia Socialiste nuk është çiflig i askujt, por është atribut i të gjithë anëtarëve që janë bërë pjesë e këtij krahu politik.
“Nuk është çiflig PS e askujt, PS është atribut i të jgithë anëtarëve të Partisë Socialiste”, dëgjohet të thotë Ruçi në video.
Ndërsa, Edi Rama, i cili tani është dhe kryeministri i Shqipërisë, asoj kohe i bëntë ftesë të rinjve që në emër të ëndrrave dhe shpresës së gjeneratës së tyre të bëheshin pjesë e Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë.
“Na duhet të japim së bashku formë një politike të re ku të rejat e të rinj, ku të gjithë ju të përfshiheni dhe të përfshini sa më shumë si ju në emër të endrrave dhe shpresës së gjeneratës tuaj”, dëgjohet të thotë Rama.
32 vite më parë, me nismën e disa vajzave dhe djemve, studentë pjesëmarrës në lëvizjen studentore të dhjetorit 90, të cilët me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri përqafuan vlerat e socialdemokracisë europiane, mori rrugë krijimi i organizatës më madhe politike rinore në Shqipëri, Forumi i Rinor Eurosocialist i Shqipërisë
Sot, pas 32 vitesh, FRESSH është organizata më e madhe politike rinore në vend dhe vijon të luajë një rol tepër të rëndësishëm si aleati më i mirë i Partisë Socialiste. Qëllim i themelimit të kësaj organizate, ishte afrimi i Shqipërisë me mentalitetin dhe konceptin Europian të demokracisë dhe shtetbërjes.