Në raportin e fundit të organizatës Freedom House, të publikuar këtë mesjavë, Shqipëria dhe Kosova janë radhitur mes vendeve pjesërisht të lira për vitin 2014. Këtë vit, Kosova u përfshi për herë të parë mes vendeve me demokraci elektorale, falë zgjedhjeve relativisht të suksesshme të qershorit dhe marrëveshjes politike për qeverinë e koalicionit.
Freedom House në këtë raport ka bërë vlerësimin e shkallës së lirisë në 195 shtete dhe 15 territore gjatë vitit 2014, duke notuar nga 1 deri në 7 të drejtat politike dhe liritë civile të secilit vend. Nota 1 përfaqëson liritë më të mëdha, ndërsa 7-shi mungesën e tyre.
Nga vendet e rajonit, në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira hyn edhe Shqipëria, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia, kurse në grupin e vendeve të lira është radhitur Serbia, Mali i Zi dhe Kroacia. Në aspektin global, taktikat më agresive nga regjimet autoritare dhe shtimi i numrit të sulmeve terroriste thuhet t’i kenë kontribuuar një rënieje shqetësuese të lirive në botë në vitin 2014.
Freedom House në këtë kuadër veçon ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë, fushatën e intensifikuar të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan kundër lirisë së medias dhe shoqërisë civile dhe centralizimin e mëtejmë të autoritetit në Kinë.
Raporti gjithashtu ka veçuar edhe ndikimin që terrorizmi ka pasur në lirinë e vendeve gjatë 2014-s. Nga Afrika Perëndimore, Lindja e Mesme e deri te Azia Jugore, Freedom House vlerëson se forcat radikale xhihadiste kanë përfshirë qeveritë lokale dhe popullatën.
Ndikimi i tyre në vendet si Iraku, Siria, Pakistani dhe Nigeria “ka qenë shkatërrues, me masakrim të forcave të sigurisë dhe civilëve, marrje pengjesh dhe vrasje të pakicave fetare”.