Sokol Idrizaj, shoferi i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, është arrestuar me urdhër të SPAK. Në pranga ka rënë dhe bashkëshortja e tij, pas një letërporosie të mbërritur te autoritetet shqiptare nga Franca, muajt e fundit të 2022.
Më herët, është raportuar nga Prokuroria e Posaçme ka goditur një grup kriminal që merrej me kontrabandën e mallrave me vlerë dhe pastrimin e parave, ku mes tyre ka dhe policë të Drejtorisë së Kufirit në Portin e Durrësit e Doganën e Hanit të Hotit.
Me kërkesë të organit të akuzës, Gjykata e Posaçme ka firmosur 18 urdhër-arreste.
Hetimet për këtë rast kanë nisur muaj më parë, në vitin 2022, pasi autoritetet policore në Francë kanë rënë në gjurmët e një grupi që merrej me kontrabandimin e mallrave me vlerë, të vjedhura në Francë dhe në shtete të tjera të Evropës.
"Sokol Idrizaj, së bashku me persona të tjerë në Shqipëri, janë duke u hetuar nga SPAK, pas dyshimeve të forta se janë implikuar në trafikimin e sendeve me vlerë si flori, ora dhe bizhuteri të ndryshme që mendohet se vinin me çanta nga territori Francës.
Në kuadër të këtij hetimi, SPAK pak kohë më parë ka ushtruar një kontroll në banesën e Sokol Idrizaj, me shpresën e gjetjes së sendeve me vlerë apo çdo provë që mund ta implikonte totalisht. Por nga ky kontroll mësohet se oficerët e BKH-së nuk kanë mundur të gjejnë sende kompromentuese", raportonte televizioni Ora News më 2 Nëntor 2022.
[caption id="attachment_709884" align="alignnone" width="1184"] Shoferi Sokol Idrizaj, pamje nga interneti[/caption]
Nga hetimet, është provuar se sendet me vlerë pasi grumbulloheshin në Francë, dërgoheshin me çanta për në Shqipëri. Nga raportimet paraprake, mësohet se adresa e mbërritjes së këtyre pakove ka qenë pikërisht ajo e shtetasit Sokol Idrizaj.
Nuk dihet se në ç'rrethana është prangosur dhe gruaja e shoferit të Ardi Veliut, ndërsa dyshime bien dhe mbi një nga vajzat e familjes, pasi ajo ka studiuar dhe jeton në shtetin francez. Tetë muaj më parë, Sokol Hazizaj është marrë në pyetje nga agjentët e BKH, kurse Ardi Veliu e ka pezulluar nga detyra derisa çështja penale e hapur nga SPAK të sqarohej.
Këto para dhe sende të çmuara dyshohet se vidheshin në Francë dhe shtete të tjera evropiane, e më pas dërgoheshin në Shqipëri. Pavarësisht se çfarë përmbanin, nga ana e policëve të kufirit nuk është ushtruar kontroll dhe çantat mbërrinin në adresat e përcaktuara.
Kur mbërrinin në Shqipëri, bizhuteritë e floririt dhe diamantet shiteshin në tregun e zi.