Hapësire reklamuese

Aktualitet

FOTOT/ Krimi që tronditi Tiranën, si i vrau Eduart Kurti dy vëllezërit nga Berati për borxhin e hotelit në Dhërmi

Shkruar nga Newsbomb
FOTOT/ Krimi që tronditi Tiranën, si i vrau Eduart Kurti dy

Skuadra Operacionale ka arritur të arrestojë pas 11 vitesh Eduart Kurtin, 48 vjeçarin nga Tirana të dënuar me burgim të përjetshëm. Ky shtetas është lokalizuar dhe prangosur në zonën e njohur si ish-Fusha e Aviacionit në kryeqytet, shkruan newsbomb.al.

"Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Tiranës, e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasja me dashje, në rrethana të tjera cilësuese, pasi në vitin 2012, në Tiranë, 48-vjeçari, ka vrarë me armë zjarri dy vëllezërit, shtetasit I. H., 44 vjeç, dhe S. H., 41 vjeç”, njofton Policia.

Borxhi që dyshohet se u mori jetën dy vëllezërve

Mbrëmjen e datës 1 dhjetor 2012 në Tiranë dy vëllezërit Iglent Haxhialiu, 44 vjeç dhe Sokol Haxhialiu, 41 vjeç, që njihej edhe me emrin Nikola u vranë me plumb në kokë në rrugën “Irfan Tomini”. Autor i ngjarjes ishte shtetasi Eduard Kurti, i cili mundi t'i shpëtonte Policisë.

Në atë kohë 37 vjeç, ai është larguar nga vendngjarja duke u ndihmuar nga një person tjetër dhe që nga ai moment, Policia nuk kishte mundur të binte në gjurmët e tij.

*Momenti i arrestimit të Eduart Kurtit në Tiranë - 15 shtator 2023

 

Dy vëllezërit Haxhialiu ishin pronarë të disa bizneseve në Tiranë dhe në Vlorë, me origjinë nga Berati dhe jetonin në zonën e ish-Bllokut.  Iglenti ishte i martuar dhe në atë kohë dy djemtë e tij ishin njëri 17 dhe tjetri vetëm 1 vjeç. Ndërsa Sokoli, i cili ishte duke drejtuar makinën kur ndodhi vrasja, ishte beqar.

Lexo edhe: Vrau dy vëllezërit në Tiranë, Operacionalja prangos 48 vjeçarin me rrezikshmëri të lartë dhe të dënuar përjetë

Viktimat kishin në pronësi një biznes bojërash dhe këtë aktivitet e ushtronin kryesisht në rikonstruksionin e pallateve në zonën e ish-Bllokut. Ata merreshin edhe me shitblerje të pasurive të patundshme dhe kishin në pronësi 3 apartamente në katin e gjashtë të një pallati në ish-Bllok, shkruan newsbomb.al.

Të dy vëllezërit biznesmenë nga Berati kishin edhe një hotel luksoz në zonën e Dhërmiut, paratë për ndërtimin e të cilit dyshohet se ia kishin marrë borxh Eduart Kurtit. Disa muaj para vrasjes, Kurti kishte nisur t’ua kujtonte borxhin 200 mijë dollarë dhe interesin prej 5 për qind. Për këtë arsye dyshohet të ketë ndodhur edhe krimi i dyfishtë.

Si u vranë Iglent dhe Sokol Haxhialiu

Iglent dhe Sokol Haxhialiu ishin nisur drejt Beratit mbrëmjen kur ndodhi ngjarja. Gjatë rrugës atyre u ka prerë rrugën Eduart Kurti, i cili ka hipur në makinë bashkë me ta. Makina tip “Mazda”, me targë TR 9205 S, drejtohej nga vëllai i vogël, Sokoli. Ndërsa vëllai i madh, Iglenti, i liroi sediljen e parë Eduart Kurtit, duke kaluar vetë në pjesën e pasme të makinës.

Sipas Policisë, përgjatë gjithë rrugës, nga zona e ish-Bllokut, kur në makinë ka hipur Kurti e deri në afërsi të rrugës “Irfan Tomini”, tek ish-stacioni i fundit i Tiranës së Re ku ndodhi ngjarja, vëllezërit kanë debatuar me Kurtin në lidhje me borxhin që i detyroheshin.

Në debat e sipër, i dyshuari ka nxjerrë nga brezi një pistoletë “Miniblow”, me të cilën fillimisht ka qëlluar një herë në kokë Iglentin, që ndodhej në sediljen e pasme. Më pas ka qëlluar dy herë të tjera, në kokë dhe në qafë, Sokolin që ishte duke drejtuar makinën.

Pasi ka zbritur nga makina, autori është ndihmuar nga një person tjetër, duke u larguar nga vendngjarja me një makinë tjetër. Sokol Haxhialiu është transportuar në Spitalin Ushtarak, ku ka kaluar në vdekje klinike dhe më pas kë ndërruar jetë, shkruan newsbomb.al.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese