Qindra protestues irakianë hynë në godinën e parlamentit në Bagdad të mërkurën me thirrje kundër Iranit, në një protestë kundër zgjedhjes së një kandidati për kryeministër nga partitë e mbështetura nga Irani.
Mbështetësit e klerikut Muqtada al-Sadr kundërshtojnë emërimin e një kandidati rival për kryeministër. Aleanca politike e Sadr fitoi shumicën e vendeve në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit të kaluar, por nuk është në pushtet për shkak të bllokimit politik pas votimit.
Mësohet se policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë në drejtim të protestuesve. Asnjë ligjvënës nuk ishte i pranishëm në atë kohë, kur në parlament u futën protestuesit.
Ata po protestonin kundër zgjedhjes rishtazi të Mohammed al-Sudanit si kandidat zyrtar i bllokut Kuadri Koordinues, një koalicion i udhëhequr nga partitë shiite të mbështetura nga Irani dhe aleatët e tyre.
Kjo është protesta më e madhe që kur zgjedhjet e përgjithshme u mbajtën në tetor, dhe hera e dytë që kleriku al-Sadr përdor aftësinë e tij për të mobilizuar masat për t’u dërguar një mesazh rivalëve të tij politikë këtë muaj. Më herët në korrik, mijëra persona e dëgjuan thirrjen e tij për një falje masive, një ngjarje që shumë njerëz kishin frikë se do të shndërrohej në protesta.