Hapësire reklamuese

Aktualitet

Foto e Nënë Terezës u shfaq te Kryeministria, revoltohet analisti i njohur: Idiotizma që na shiten si vlera... S'ndodh në asnjë vend (E PLOTË)

Shkruar nga Newsbomb
[caption id="attachment_359707" align="alignnone" width=""]Foto e shperndare nga analisti Krasniqi[/caption]

Analisti i njohur Afrim Krasniqi reagon i revoltuar për shfaqjen e fotos së Nënë Terezës në dritaret e Kryeministrisë, përballë Bulevardit kryesor të qytetit.

" 'Kur mendon se idiotizmat ka arritur kulmin, ki durim, sepse ka edhe më keq, - mund të ndodhë që ato të shiten për vlerë e virtyt'. Kjo thënie e përdorur nga F.Konicës vlen për të ilustruar edhe aktin më të fundi cinik e fyes, - ekspozitën për Nënë Terezën në muret e jashtme të kryeministrisë", shkruan Krasniqi, ndërsa shton se ekspozitat bëhen në galeri e muze, jo në godinën e qeverisë.

"Po, idiotizmat mund të na shiten si vlerë e virtyt, ka pasur të drejtë Konica. Në asnjë vend tjetër në botë, as në vendet e kulturuara dhe as në ato që ekzistojnë simbolikisht nuk mund të ndodh që godina qendrore e qeverisjes ekzekutive të shtetit të përdoret në formë kaq brutale sa në rastin shqiptar", vijon ai.

Reagimi i plotë:

“Kur mendon se idiotizmat ka arritur kulmin, ki durim, sepse ka edhe më keq, - mund të ndodhë që ato të shiten për vlerë e virtyt”. Kjo thënie e përdorur nga F.Konicës vlen për të ilustruar edhe aktin më të fundi cinik e fyes, - ekspozitën për Nënë Terezën në muret e jashtme të kryeministrisë. Ekspozitat bëhen në galeri, në muze, në mjedise të dedikuara profesionale, online, etj, por ekspozitë në dritaret e një godine qeverie? Po, idiotizmat mund të na shiten si vlerë e virtyt, ka pasur të drejtë Konica. Në asnjë vend tjetër në botë, as në vendet e kulturuara dhe as në ato që ekzistojnë simbolikisht nuk mund të ndodh që godina qendrore e qeverisjes ekzekutive të shtetit të përdoret në formë kaq brutale sa në rastin shqiptar. Nuk e kam idenë se kush është nismëtar i këtij akti të padenjë, por jam i bindur se asnjë vend nuk e ka trajtuar Nënë Terezën (me alibinë e nderimit) në këtë formë fyese, të ngjashëm me metodat propagandistike të revolucionit kulturor!

Cinizëm? Servilizëm? Patetizëm? Propagandë? Arrogancë? Injorancë? Të gjitha bashkë? Vetë foto flet vetë: nuk ka qytetarë, as interes, as ndonjë dashuri për godinën e fjetur që në historinë tonë jo dhe aq të lumtur nuk ka dhuruar as paqe, as humanizëm dhe as mirësi për njerëzit, - por mesazhi është i qartë: nuk kemi nevojë për muze, ministri kulture, galeri arti, universitete, etj, - gjithçka kemi nevojë është kryeministria! Doni shfaqje? E gjeni aty. Doni ekspozitë? E gjeni aty. Doni konferencë shkencore? E gjeni aty. Doni ndeshje sporti? E gjeni aty. Doni koncert? E gjeni aty.

Dhe kulmi arrin me shfaqjen e portretit të Nënë Terezës dhe 2-3 letrave (të përzgjedhura) drejtuar zyrtarëve drejtues të regjimit represiv komunist në Shqipëri, pikërisht atyre që ndaluan besimin në Zot dhe vetë Nënë Terezën të varroste nënën e saj, madje na ndaluan të mësonim se një shqiptare ka fituar çmimin Nobel dhe zyrtarisht e mohuan atë, - tani ata shpallen vlerë, arkivi i pafund kundër Nënë Terezës nuk publikohet, dhe në vend të homazhit për të dhe vlerat humane e identitare të saj, keqpërdoren ato për të nderuar shokun Ramiz e shokun Reis! Së paku të botonin (edhe) letrat e ambasadës shqiptare në Romë kundër saj në mesin e viteve ’80 dhe shënimin e shokut Ramiz që pranon ardhjen e saj duke sugjeruar të ketë veshje e paraqitje tjetër, jo me atë të rrobave fetare!

Nuk ka rëndësi të madhe kjo, sepse shkenca dhe historia nuk bëhen në mure dhe as me folës kryesor kryeministrin e radhës. Rëndësi ka këmbëngulja jonë për të vijuar akte të tilla absurde dhe mungesa e plotë e sensit të masës, sensit të përgjegjësisë publike, sensit të fjalës dhe të reflektimit. Si mundet që Shqipëria e 2020 të pranojë skena të tilla si vlera, dhe si arrijmë të pranojmë anormalen si normale? Kaq komikë jemi bërë në dramën tonë të aventurës dhe talljes me shtetin, me kujtesën, me vlerat, me simbolet, me institucionet dhe me hapësirën e të drejtën publike? Sa zhgënjyese!

LEXO EDHE:Drejtori i Arkivave u përgjigjet kritikëve: Po këta britanikët e pagdhendur, si s'mësuan nga ekspertët shqiptarë të peshkut (Foto)

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu