Hapësire reklamuese

Foto e Ditës

Socialistët bllokojnë mocionin për Olta Xhaçkën

Shkruar nga Newsbomb
Socialistët bllokojnë mocionin për Olta Xhaçkën
Votat per mocionin e mandatit te Olta Xhaçkes

Mocioni për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka nuk do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Me 39 vota "PRO" nga opozita dhe 72 "KUNDËR" nga mazhoranca është vendosur që mocioni për vlefshmërinë e mandatit të Xhaçkës të rrëzohet. 

Opozita i ka shkuar deri në fund qëndrimit dhe kërkesës që kishte depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, duke grumbulluar 39 vota "PRO" dërgimit të mocionit në Gjykatën Kushtetuese, por ato nuk kanë qenë të mjaftueshme dhe ai është rrëzuar.

Menjëherë pas këtij votimi, deputetët e opozitës kanë braktisur sallën e punimeve të seancave plenare, shkruan newsbomb.al. Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka thënë se "Reforma në Drejtësi ka vdekur" me votimin e sotëm të mazhorancës.  

"Ditë e zezë për Parlamentin, duhet të marrim një vendim nëse duhet ti drejtohemi më Gjykatës Kushtetuese, pasi zbatimi i vendimeve të tyre qenka në dorën e mazhorancës. Nga dita e sotme unë nuk e di se për çfarë do të paguhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, kur vendimet e tyre hidhen në kosh nga Edi Rama”, tha Bardhi.

Deputetja dhe ish-ministrja Olta Xhaçka e ka marrë vetë fjalën gjatë seancës së sotme, pas debateve mes opozitës dhe mazhorancës. Sipas saj, të gjitha akuzat e opozitës për të janë shpifje dhe po përpiqen të përbaltin figurën e saj duke e bërë "mish për top".

Olta Xhaçka sqaroi edhe akuzat që bëhen kundrejt bashkëshortit të saj, ish-deputetit socialist Artan Gaçi, duke i mohuar kategorikisht. Ajo u shpreh se bashkëshorti i saj ka qenë sipërmarrës që para se të zgjidhej deputet dhe iu rikthye punës së tij private pasi la mandatin.

Sondazh

Poll

Hapësire reklamuese