Për herë të parë, Irani po sulmon Izraelin drejtpërdrejt nga territori i tij. Zyrtarët izraelitë kanë konfirmuar se dhjetëra dronë dhe raketa janë lëshuar mbrëmjen e djeshme drejt Izraelit. Pas sulmit që zgjati plot dy orë, si hakmarrje për vrasjen në Damask, zëdhënësi i IDF njoftoi një ndryshim dramatik në direktivat e Komandës së Frontit të Brendshëm dhe më vonë deklaroi se hapësira ajrore do të mbyllet.
Sakaq, kryeministri Benjamin Netanyahu pasi mbërriti në bazën Kirya në Tel Aviv mblodhi menjëherë kabinetin e luftës.
Netanyahu siguroi se: “në vitet e fundit dhe aq më tepër në javët e fundit, Izraeli është përgatitur për mundësinë e një sulmi të drejtpërdrejtë nga Irani. Sistemet tona të mbrojtjes janë të vendosura, ne jemi të përgatitur për çdo skenar, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Shteti i Izraelit është i fortë, IDF është e fortë, publiku është i fortë”.
“Ne e vlerësojmë qëndrimin e SHBA-së në krah të Izraelit, si dhe mbështetjen e Britanisë së Madhe, Francës dhe shumë vendeve të tjera. Kam vendosur një parim të qartë, kushdo që na lëndon, ne e lëndojmë atë. Ne do të mbrohemi nga çdo kërcënim dhe këtë do ta bëjmë me gjakftohtësi dhe vendosmëri. E di që edhe ju, qytetarët e Izraelit, po ruani gjakftohtësinë tuaj. Ju bëj thirrje që të dëgjoni direktivat e Komandës së Frontit të Brendshëm”, shtoi Netanyahu.