Anija e dytë me emigrantë ka mbërritur në vendin tonë. Ashtu si dhe ishte paralajmëruar më herët nga autoritetet italiane, anija “Libra” ka mbërritur mëngjesin e kësaj të premte në ujërat e Shëngjinit.
Në bord ndodhen vetëm 8 emigrantë të cilët më pas do t’i nënshtrohen procedurave në qendrën pritëse e më pas do të transportohen drejt kampit të Gjadrit.
Anija e marinës italiane u nis drejt Shqipërisë më 6 nëntor 2024. Kjo anije ka kapacitet për transportimin e 200 personave, mirëpo vetëm 8 prej emigrantëve mundën t’i nënshtroheshin procedurave të përshpejtuara kufitare.
Ky është grupi i dytë i emigrantëve që vjen në Shëngjin nga autoritetet italiane, pasi 12 emigrantët e parë Gjykata e Romës vendosi që të ktheheshin në Itali, sepse ata “nuk vinin nga vende të sigurta sipas legjislacionit evropian”.
Gjykata e Romës doli në përfundimet se Italia nuk kishte zbatuar ligjin italian për vendet e sigurta. Ky vendim solli dhe tensione në politikën italiane dhe në qeverinë Meloni. Ministria e Brendshme italiane apeloi këtë vendim, ndërkohë Meloni tha se marrëveshja me Shqipërinë do të vijojë duke miratuar më pas një dekret ligjor për të rishikuar listën e “vendeve të sigurta”.