
Me 9 vota pro Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi përfundimin e mandatit të kryetarit Alfred Balla.
Kundër vendimit për përfundimin e mandatit të Ballës, ka votuar vetëm Nurihan Seiti. Mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dje u zhvillua me dabate dhe është ndërprerë pas tensioneve mes anëtarëve, ku po diskutohej për afatin e mandatit të kryetarit Alfred Balla.
Mbledhja vijoi mes debateve të forta, kryesisht mes anëtares Nurihan Seiti dhe Sokol Stojanit. Në diskursin e zonjës Seiti është vënë re një mbrojtje e flakët ndaj kryetarit aktual Alfred Balla, e cila u vu në dukje dhe nga drejtuesi i mbledhjes Tartar Bazaj.
KPA vendosi pak ditë më parë përjashtimin e tij me 15 vite nga sistemi i drejtësisë, duke rrëzuar një vendim të shkallës së parë, KPK, që e mbylli procesin e tij pa një vendim. Sipas vendimit të KPA, Balla nuk ka të drejtë për t'u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.