
Amari 3 vjeçar u bashkua me nënën e tij. Vogëlushi që u kthyer për një javë në fëmijën më të kërkuar në Shqipëri, është dorëzuar nga gjyshja e tij në ambientet e Policisë së Durrësit. Edhe kjo e fundit, ishte gjatë kësaj jave gjyshja më e kërkuar në vend.
Gjyshja që qëndronte e fshehur bashkë me vogëlushin ka shkuar mesditën e djeshme në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Durrës dhe ka dorëzuar nipi, e shoqëruar nga avokati i saj.
Rexhep dhe Bahrie Gjuni vendosën një javë më parë të merrnin nipin e tyre dhe të mos ja kthenin të ëmës, duke pretenduar se ai ishte djali i tyre, trashëgimtari. Kjo, pasi dy gjyshërit kanë pësuar një traumë të fortë psikologjike nga vdekja e djalit të tyre rreth një vit më parë.
Amari 3 vjeçar ishte kujtimi i vetëm që i gëzonte dhe shpeshherë ata e merrnin vogëlushin në shtëpinë e nënës së tyre dhe pasi çmalleshin me të disa orë, e kthenin përsëri të e ëma 23 vjeçare. Djali i tyre i vetëm, Avniu ndërroi jetë në një aksident rrugor.
Mirëpo, më datë 12 prill kur Ile Gjuni i ka telefonuar vjehrrit t'i kthenin djalin sepse kishin kaluar më shumë orë se zakonisht, dy gjyshërit i kanë thënë nga ana tjetër e telefonit se Amari ishte djali i tyre dhe nuk do e kthenin. 23 vjeçarja mendoi se ata ishin të nervozuar sepse ajo nuk e kishte lënë djalin të festonte festën e Bajramit me ta.
Orët kaluan dhe Ile Gjuni u detyrua të bënte kallëzim në Policinë e Durrësit. Gjyshi Rexhep Gjuni u lokalizua dhe u ndalua, por ai nuk pranoi të tregonte se ku ndodhej nipi.
Vogëlushi për gjithë këto ditë ka qëndruar me gjyshen e tij, Bahrie Gjuni, e cila pas apelit të fortë në media nga nusja dhe reagimit të opinionit publik, duket se ka vendosur të dorëzohet duke u paraqitur në ambientet e Policisë së Durrësit bashkë me 3 vjeçarin.
Amari gëzon shëndet të plotë dhe pritet që së shpejti të bashkohet me nënën e tij. Në qeli qëndron aktualisht gjyshi Rexhep Gjuni dhe kunati i tij, vëllai i Bahries, pasi dyshohet se i ka ndihmuar dy të moshuarit të marrin nipin dhe të fshihen.