Gordana Siljanovska Davkova, kandidate e Partisë VMRO-DPMNE, udhëheq bindshëm në garën presidenciale ndaj rivalit të saj social-demokrat, Stevo Pendarovki.
Ndërsa janë numëruar rreth 97% e votave të hedhura, zonja Davkova duket se ka siguruar 40.2% të tyre ose 352,800 vota, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Në vend të dytë renditet zoti Pendarovski me rreth 175,400 vota, ose 19.9% të votave të numëruara deri në publikimin e këtij lajmi. Rezultatet paraprake tregojnë për një balotazh mes dy kandidatëve kryesorë.
Në zgjedhjet presidenciale morën pjesë rreth 48% e 1,8 milionë banorëve me të drejtë vote. Pjesmarrja në votime shënoi një rritje prej 9% në krahasim me zgjedhjet presidenciale të vitit 2019.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve tha se janë paraqitur rreth 300 ankesa për parregullsi, mes tyre fotografimi i votës dhe pamundësia e disa individëve për të votuar pasi nuk figuronin në regjistrin zgjedhor. KSHZ tha se disa nga ankesat ishin zgjidhur dhe po punohej për një pjesë tjetër ndërsa ka hedhur poshtë si të pabaza disa ankesa të tjera.