
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka votuar “pro” kërkesës së Kosovës për anëtarësimin në KiE. Për anëtarësimin e saj në KiE, 171 deputetë votuan pro, 29 ishin kundër dhe 11 abstenuan, ndërsa asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia nuk u miratua.
Ndërkohë që vlen të theksojmë se fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës në KiE duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Europës në maj, të cilët duhet të vendosin përfundimisht për të pranuar apo jo Kosovën si anëtaren më të re të organizatës.
Në diskutimet e zhvilluara më herët, në këtë asamble kishim debate dhe kundërshtime midis përfaqësuesvë të vendeve evropiane.
Ndërkohë që ishin të shumtë ata që e mbështetën vendimin që Kosova të bëhej pjesë e KiE-së, kishte të tjerë nga përfaqësuesit e delegacionit serb dhe ai hungarez që e kundërshtuan këtë amendament me arsyen se Kosova nuk kishte plotësuar kushtin për Asociacionin për pakicat serbe në veri.