Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Forcimi i sigurisë në shkolla, Balla shkresë Manjës për ashpërsimin e Kodit Penal

Shkruar nga Newsbomb

Ministria e Brendshme ka propozuar ndryshime në Kodin Penal, sa i përket forcimit të sigurisë në institucionet e arsimit.

Përmes një shkrese, drejtuar ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, ministri Taulant Balla ka propozuar ndryshimin e 11 neneve, përmes të cilave do të rritet më tepër siguria në shkolla. Sipas këtij propozimi dhuna seksuale do të dënohet 5 deri në 10 vite burg, ndërsa bindja e një të mituri për të marrë pjesë në shfaqje pornografike, kur kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, do të  dënohet me burgim nga 7 deri në 15 vjet.

“Do të forcojmë me ligj Paketën Sigurisë në Shkolla duke bërë të mundur ashpërsimin e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal për veprat penale që kryhen në mjediset e një institucioni arsimor apo në perimetrin e sigurisë së tij. Kryerja e një vepre penale në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij të parashikohet si rrethanë rënduese, nëse në dëm të një të mituri, dhe, në çdo rast, si rrethanë cilësuese e figurës së veprave penale të mëposhtme:

  • Dhuna seksuale (neni 107/a);
  • Pornografia (neni 117);
  • Trafikimi i të miturve (neni 128/b);
  • Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit (neni 278);
  • Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta (neni 279);
  • Prodhimi dhe shitja e narkotikëve (neni 283);
  • Përshtatja e lokalit për përdorim droge (neni 285/a);
  • Hedhja ose braktisja e shiringave (neni 285/b);
  • Nxitja për përdorimin e drogës (neni 286);
  • Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt (neni 291)”, shkruan Balla.

Shkresa e Balles per ministrin Manja Shkresa e Balles per ministrin Manja

 

PROJEKTLIGJI

Nr. ______/2023

 

PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR. 7895, DATË 27.1.1995, “KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të neneve 81, pika 2, shkronja “d”, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet si më poshtë:

Neni 1

Në nenin 50 “Rrethanat rënduese”, shtohet paragrafi “ë” me këtë përmbajtje:

ë) kryerja e një vepre penale në dëm të një të mituri në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij.

Neni 2

Në nenin 107/a “Dhuna Seksuale”, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: “Kur kjo vepër kryhet në mjediset ose në perimetrin e sigurisë së institucionit arsimor të frekuentuar nga i dëmtuari dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”.

Neni 3

Në nenin 117 “Pornografia”:

Pas paragrafit të parë, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

“Kur kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga tre deri në pesë vjet”.

Pas paragrafit të tretë, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: “Rekrutimi, përdorimi, shtrëngimi ose bindja e një të mituri për të marrë pjesë në shfaqje pornografike, kur kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet”.

Neni 4

Në nenin 128/b “Trafikimi i të miturve”, shtohet paragrafi si vijon:

“Kur kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënimi me burgim shtohet me ¼ e dënimit të dhënë”.

Neni 5

Në nenin 278 “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe I municionit”, pas paragrafit të parë shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

“Kur kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”.

Neni 6

Në nenin 279 “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” pas paragrafit të dytë shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

“Mbajtja e armëve të ftohta si shpatat, bajonetat, thikat dhe mjete të tjera të përgatitura e të destinuara posaçërisht për sulm kundër personave ose për vetëmbrojtje, pa lejen e organeve kompetente, në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga tre deri në gjashtë vjet”.

Neni 7

Në nenin 283 “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

“Kur kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet”.

Neni 8

Në nenin 285/a “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

“Kur kjo vepër kryhet në perimetrin e sigurisë së një institucioni arsimor, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”.

Neni 9

Në nenin 285/b “Hedhja ose braktisja e shiringave”, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

“Kur kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet”.

Neni 10

Në nenin 286 “Nxitja për përdorimin e drogës”, paragrafi i dytë zëvendësohet nga paragrafi më këtë përmbajtje: “Kur nxitja apo injektimi i detyruar bëhet ndaj fëmijëve apo në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, në institucione penale, sportive apo të çdo veprimtarie tjetër shoqërore dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 11

Në nenin 291 “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pas paragrafit të parë shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: “Kur kjo vepër kryhet në perimetrin e sigurisë së një institucioni arsimor, dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet”.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese