Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt ndodhen prej tre ditësh ën zonën e Krujës, ku kanë nisur një operacion të gjerë për zbulimin dhe asgjësimin e parcelave me kanabis. Mësohet se janë kontrolluar 250 sera, 56 shtëpi të braktisura, tunele, territor i pyllëzuar, sipërfaqe publike dhe shtetërore.
Kontrolle të imtësishme janë ushtuar në ambiente të ndryshme, për të cilat ka patur informacione se mund të përdoreshin për kultivimin e bimëve narkotike nëpërmjet llambave. Në zonat me risk janë përfshirë edhe forcat operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Në fshatin Fushë Thumanë, Njësia Administrative Thumanë, në territor publik janë gjetur në një serë, 400 kubikë të kultivuar me fidanë cannabis sativa, të cilët u asgjësuan gjatë operacionit, ndërsa një pjesë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të këtij rasti. Kontrolli masiv i territorit në rrethin e Krujës është duke vijuar, me grupe të shumta të FNSH-së dhe të Policisë së Krujës, dhe do të shtrihet në të gjithë zonat me risk dhe jo vetëm.