Hapësire reklamuese

Politikë

Flutura Açka qorton RTSH se nuk ftoi Ylli Pepon në festën e 85 vjetorit

Shkruar nga Newsbomb
Deputetja demokrate Flutura Açka kritikon në një koment publik Radio Televizionin Shqiptar, se nuk ka ftuar pak ditë më parë në festën për 85 vjetorin e Radio Tiranës, regjisorin e njohur Ylli Pepo. Një ndër njerëzit që i ka dhënë shumë transmetuesit publik shqiptar. "Mes karrigeve të zbrazura - ku duhej të ishin ulur aq zonja e zotërinj të nderuar që kam takuar, që kam folur, që mē kanë mahnitur me idealizmin dhe kujdesin e tyre të përkorë ndaj zejes së fjalës dhe figurës së transmetuar - njëra duhej të qe me patjetër e regjisorit Ylli Pepo", shkruan Açka. Deputetja dhe shkrimtarja e njohur kujton kohën kur ftohej për intervista e takime në RTSH dhe mes atyre profesionistëve ishte dhe Ylli Pepo. "Kështu me ftesat e shpeshta të Ylli Pepos, dhe të gazetarëve të dashur që kam njohur ato vite të para të demokracisë, RTSH u kthye pandier një shtëpi e dytë, ku shkoja për të folur jo vetëm për libra", vijon ajo. "Duke botuar këtë foto nga takimi i këtij mëngjesi me regjisorin fantastik Ylli Pepo, një aleati im i hershëm i fjalës, kam rast të qortoj për harresën në festën é 85-vjetorit të RTSh-së të tij dhe një radhe të çmuar njerëzish, më së shumti idealistë, që i dhanë RTSH-së zë, ngjyrë dhe shpirt, pra, histori", shkruan Flutura Açka.

Komenti publik i deputetes demokrate me Ylli Pepon:

Një kafe mëngjesi me regjisorin Ylli Pepo Në kujtim të disnastisë së humbur të idealistëve Pak ditë më parë RTSH-ja mbushi plot 85 vite. Mes karrigeve të zbrazura - ku duhej të ishin ulur aq zonja e zotërinj të nderuar që kam takuar, që kam folur, që mē kanë mahnitur me idealizmin dhe kujdesin e tyre të përkorë ndaj zejes së fjalës dhe figurës së transmetuar - njëra duhej të qe me patjetër e regjisorit Ylli Pepo. Duhet të ketë qenë vjeshta e vitit 1992 kur e kam takuar për herë të parë dhe ftesat e shpeshta në studiot é paraditeve në RTSH, ishin ushtrimi i parë për fjalën me zë, për përgjegjësinë e së vërtetës në publik. Droja ndaj kameras apo mikrofonit nuk është grip që kalon, por në një studio ku të presin njerëz të dashur, që të ndjekin në pulte profesionistë me bujari prekëse dhe me këmbënguljen se duke folur zgjojmë sentimente të përfjetura njerëzore, por mbi të gjitha përmbushim detyrimin ndaj së vërtetës, t ndjehesh në ujëra të paqta. Kështu me ftesat e shpeshta të Ylli Pepos, dhe të gazetarëve të dashur që kam njohur ato vite të para të demokracisë, RTSH u kthye pandier një shtëpi e dytë, ku shkoja për të folur jo vetëm për libra. Nga ajo kohë më ka mbetur edhe detyrimi qytetar i njeriut të fjalës, që flet kür i drejtojnë mikrofonin dhe nuk i thotë jo asnjë pyetjeje, pasi gjithmonë e ka një përgjigje. Nga ajo kohë, duke çmuar si një gjë të vyer njohjen me idealistë si Ylli Pepon “Flutura, eja në studio dhe fol për çfarë mendon se u duhet folur sot shqiptarëve! “, më ka mbetur në rutinë fjala e Tuein se “e vërteta nuk mësohet përmendësh”, ndaj thuaje siç është. Duke botuar këtë foto nga takimi i këtij mëngjesi me regjisorin fantastik Ylli Pepo, një aleati im i hershëm i fjalës, kam rast të qortoj për harresën në festën é 85-vjetorit të RTSh-së të tij dhe një radhe të çmuar njerëzish, më së shumti idealistë, që i dhanë RTSH-së zë, ngjyrë dhe shpirt, pra, histori. Regjisori Ylli Pepo dhe deputetja Flutura Açka Regjisori Ylli Pepo dhe deputetja Flutura Açka

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese