Hapësire reklamuese

Kulture & Art

“Fliste për shuma parash dhe burgun e Spaçit”, Visar Zhiti tregon takimin me Edi Ramën: E ndezi edhe një cigare

Shkruar nga Newsbomb
“Fliste për shuma parash dhe burgun e Spaçit”, Visar

Autori i njohur Visar Zhiti ka treguar se ka nisur puna për filmin artistik që do të bëhet për burgun e Spaçit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, shkrimtari i shumë librave zbulon takimin me kryeministrin Edi Rama.

Bashkë me regjisorin e filmit, Namik Ajazi, ata kishin mbërritur në kryeministri ku i pari i qeverisë i kishte pritur ngrohtë. Interesi ishte i madh nga Edi Rama. Madje, Visari zbulon një detaj interesant teksa rrëfen se kryeministri kishte ndezur edhe një cigare gjatë bashkëbisedimit me ta, gjë që nuk e kemi parë prej kohësh ta bëjë në publik.

Në fund kishin marrë premtimin e Ramës se qeveria do t’u mbështeste financiarisht në finalizimin e kësaj vepre artistike.

*Postimi i Visar Zhitit në Facebook:

NË KRYEMINISTRI…

Filmi artistik për burgun e Spaçit, për qëndresën e të burgosurve, që shkoi deri në revoltën e madhe, e cila bëri histori, ku u valëvit Flamuri ynë pa yll, i kuq me gjakun që u derdh, duhet bërë patjetër, jo për të qenë vetëm një pasurim i kinemasë shqiptare me një arritje dhe temë të re, krejt ndryshe nga ç’ka lënë trashëgim Kinostudioja e vjetër, në shumicë e dëmshme, por që të jetë dhe kujtesë, kujtesë me art, edhe edukim me të vërtetën, me art patjetër, që të jetë kulturë, por dhe qendrim i Shqipërisë. Me kë është ajo sot? Me persekutorët apo me të përsekutuarit?

Dhe regjisori i filmit, Namik Ajazi, kërkoi një takim tjetër me Kryeministrin, zotin Edi Rama. Shkuam bashkë, unë me cilësinë e autorit të skenarit, tashmë të mbaruar dhe ia përsëritëm që si regjisori, edhe skenaristi, po edhe piktori janë tre ish të burgosur politikë dhe në skenat e filmit do të donim që të përfshiheshin edhe të burgosur të tjerë, që kanë mbetur gjallë, tani në rolet e të moshuarve të burgut, gjë që do ta bënte filmin të veçantë në një aspekt të veçantë, të pazakonshëm, por dhe me domethënie, etj, etj.

Vëmëndja dhe interesi i Kryeministrit ishin serioze, ndërkaq u përshfaq dhe Edi artist e mik, ndezi një cigare, unë i dhurova librin “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, me poezitë e mia të Spaçit dhe Qafë-Barit, botimin anastatik nga Shtëpia Botuese Onufri, e shfletoi, paska dalë shumë mirë, tha dhe teksa pinim kafetë, se ku telefonoi, fliste për shuma parash dhe Spaçin… të bëhet muze që të xhirohet filmi… pastaj të na mbetet muzeu… edhe filmi, ndërhyri regjisori etj, etj. Mbasi mbaroi telefonatën, Edi Kryeministër iu kthye regjisorit:

- Ju filloni punën, - i tha bindshëm, - me partnerët e huaj, që keni gjetur të bashkëpunoni dhe me mundësitë e deritanishme, mbështetja financiare e qeverisë është e sigurtë, ju vjen brenda këtij viti!

Pra, filmi i munguar kështu nisi. Me besimin se do të jetë i vërtetë…

NJË SHTESË

- koment i thjeshtë komenteve -

REALIZIMI I NJË FILMI

është një art kokektiv, një ndërrmarje e madhe dhe nuk mjaftojnë as dëshirat e as fjalët, por kërkon mbështetje të madhe financiare.

- Në kushtet e Shqipērisë është shteti, qeveria që mund të lëvrojë një shumë të tillë parash me VKM-të e nevojshme.

- Ky nuk është veprim personal dhe as për përfitim personal, por gjykohet vlera e projektit, dobishmëria shoqërore e tij, etj, në këtë rast e muzeut të Spaçit dhe filmit për të.

- Paratë janë të popullit, të taksapaguesit shqiptar, pra dhe tonat…

- Mund të shtoj me dhimbje që është dhe puna e papaguar e të burgosurve politikë në vepra të ndryshme, në ndërtime, miniera, hapje themelesh e kanalesh, tharje kënetash, etj, ku është derdhur jo vetëm djersë, por edhe gjak e janë lënë eshtrat, pra ata, të burgosurit politikë, vetëm i kanë dhënë ekonomisë shqiptare, jo vetëm moralisht e politikisht.

- Tjetër: gjithsesi filmit, sipas regjisorit të tij dhe jo vetëm, i duhet të kërkojë mbështetje edhe nga producentë të huaj, gjë që ka të nevojshme së pari njohjen dhe mbështetjen e projektit nga vendi yt.

- Qeveria në fund të fundit del si rezultat i zgjedhjeve, që jemi të detyruar t’i pranojmë dhe ajo, qeveria, duhet të jetë jo e partisë fituese, por e të gjithëve, e popullit dhe na pëlqen apo nuk na pëlqen, kryeministri duhet të respektohet, bashkëpunimi në dobi të vlerave të përbashkëta është i pashmangshëm,  dhe kryeministri duhet t’u shërbejë të gjithëve njëlloj, çështjeve dhe kauzave sipas hierarkisë së vlerave, me interes ekonomik e kulturor…

- Filmi për burgjet tona duhet dhe është më shumë se një film, më shumë se një vepër arti, nderim për qendrestarët, heronjtë dhe martirët, por dhe tregues gjeneral i qëndrimeve dhe i mendësive tona.

- Nëse ndokush apo grupe të caktuara njerëzish dinë mënyrë tjetër dhe më të mirë të realizimit të një projekti të tillë, që do të jetë dëshmi, kujtesë, akuzë dhe e gjitha e shndërruar në vepër arti, aq sa janë aftesitë dhe mundësitë, besoj është i mirëpritur për bashkëpunimin e dibishëm.

- Në mbyllje dua të shtoj për miqtë dhe për ata që kanë vuajtur nga përndjekjet dhe me të drejtë nuk bëjnë lëshime, për komentet e lajmit që dhashë (edhe sinqeriteti është guxim), se unë i jap rëndësi porosisë Biblike që t’i kthejmë armiqtë në vëllezër, kur tek ne po ndodh gjithnjë e më shpesh që vëllezërit po kthehen në armiq.

- Bashkarisht të bëjmë më të mirën!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese