Deputeti Flamur Noka i ka dërguar sot një shkresë zyrtare drejtorit të Policisë Gledis Nano, dhe kërkon informacion se përse Forcat Speciale rrethuan godinën e Partisë Demokratike, më 11 dhjetor në një kohë kur mbahej Kuvendi i Sali Berishës.
Noka thotë se prania e Forcave Speciale pranë selisë së PD ka qenë në kundërshtim me çdo akt dhe urdhër në bazë të të cilit funksionon Policia e Shtetit.
“Duke u nisur nga këto fakte, kërkojmë nga ana juaj informacion se kush janë arsyet, informacionet tuaja për këtë veprim nga ju kanë ardhur këto të dhëna dhe kush është institucioni që ka kërkuar këtë përqëndrim të forcave policore pranë selisë së PDSH-së”, thuhet ndër të tjera në shkresë.
Shkresa që i është dërguar drejtorit të Policisë:
Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ditën e shtunë, datë 11.12.2021. nga ora 12:00 deri rreth orës 18:00, Policia e Shtetit ka patur të përqëndruar në të gjithë perimetrin e godinës së Selisë Qëndrore të Partisë Demokratike prezencë të Forcave Speciale të Policisë së Shtetit (FNSH, RENEA), në kundërshtim me çdo akt dhe urdhër që normojnë punën e Policisë së Shtetit.
Ky veprim nga ana e Policisë së Shtetit konstatohet për herë të parë në 31 vite pluralizēm, ku forcat policore në mënyrë të kundraligjshme përfshihen në një situatë të brëndshme të nje Partie Politike në Shqipëri.
Duke u nisur nga këto fakte, kërkojmë nga ana juaj informacion se kush janë arsyet, informacionet tuaja për këtë veprim, nga ju kanë ardhur këto të dhëna dhe kush është institucioni që ka kërkuar këtë përqëndrim të forcave policore pranë selisë së PDSH-së.