Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Fjalimi i Ramës; Ja cilët janë ministrat që morën “notë kaluese” dhe cilët “ngelën” në klasë

Shkruar nga Newsbomb
Fjalimi i Ramës; Ja cilët janë ministrat që morën

Edi Rama mbajti sot mbledhjen e fundit të qeverisë së tij si përmbyllje zyrtare të mandatit të dytë duke lajmëruar se së shpejti do të njoftojë kabinetin e ri të ministrave, sapo të nisë punë dhe parlamenti i ri.

Të gjithë ministrat e ulur në tryezën e rrumbullakët fshihnin sot ankthin e fatit të tyre; “A do të jem sërish ministër?!” 

Asnjëri prej tyre nuk e di nëse do të vijojë të ketë besimin e Ramës dhe për një mandat të ri, por mjafton të lexohet mes rrjeshtave fjalimi i kryeministrit për të kuptuar se cilët prej tyre morën “fletë lavdrimi” dhe cilët “ngelën në klasë”, vlerësime këto që nënkuptojnë dhe vijimin e karrierës si ministra.

Në fakt vetëm disa prej tyre, tre ministre gra morën një farë “premtimi” në takimin e sotëm. 

Nëse do të bazoheshim tek fjalët e Ramës, e para ministre që rikonfirmohet në detyrë do të jetë Ogerta Manastirliu e Shëndetësisë.

Dua të falenderoj ministren e Shëndetësisë, e cila përgjatë 18 muajve të stërvështirë e mishëroi me dinjitet të lartë qytetar, politik dhe profesional, qëllimin themelor të kësaj qeverie, për të qenë qeveri e punës, jo vetëm e fjalëve, edhe në kushtet më të vështira, një qeveri që përpiqet me gjithçka të jetë e njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit. Jo vetëm kaq, por bazuar në fakte dhe shifra mund të themi me plot gojën se puna e pandaluar edhe në mandatin e dytë, pavarësisht pandemisë, për përmirësimin e infrastrukturës së shëndetësi në tërësi e ka bërë të dallueshme si dita me natën gjendjen e kësaj infrastrukture, krahasuar me ditën tonë të parë në detyrë, shtatorin e tetë viteve më parë, kur shëndetësia ishte ferri për të gjithë.” – tha ai për punën e saj.

Një tjetër grua ministre u vlerësua dje nga shefi i saj duke lënë të kuptohet se do të vijojë punën në kabinetin e ri. Ajo ishte Belinda Balluku, e Infrastrukturës.

Falë punës të përkushtuar dhe voluminoze të dikasterit përkatës, po ashtu drejtimit shumë këmbëngulës të ministres, në një periudhë kohore posaçërisht të vështirë, sot, Kukësi është bërë më në fund me aeroport ndërkombëtar, puna me projektin e zbatimit të projektit të aeroportit ndërkombëtar të Vlorës ka hyrë në fazën përfundimtare, gara ndërkombëtare për aeroportin turistik të Sarandës është hapur, rruga e Arbrit është edhe ajo në përputhje me afatin e përfundimit, rruga Delvinë-Kardhiq po ashtu e me radhë, se janë shumë projekte të tjera të rëndësishme të infrastrukturës sonë kombëtare, të cilat janë realizuar me standarde europiane apo vijojnë në rrugën e realizimit”- tha ndër të tjera rama duke vlerësuar arritjet në këtë sektor.

Ministrja e Bujqësisë, Milva Ikonomi, mori po ashtu lëvdata.

I dukshëm ka qenë përparimi në bujqësi, ku kemi mundësuar thuajse dyfishimin e tokës që punohet, falë investimeve masive në sistemin ujitës e kullues, por jo vetëm, kemi pothuajse trefishuar eksportet bujqësore dhe kemi dalë në vendin e parë në rajon për thithjen e fondeve të mbështetjes nga BE-ja për bujqësinë” – tha Rama

Por, shefi i qeverisë, nuk kishte ruajtur lavdërime për ministren e Arsimit, Evis Kushi.

“Kjo qeveri ka çuar më tej punën e madhe të bërë gjatë mandatit të parë për reformimin e arsimit dhe për përmirësimin e kushteve të arsimimit, ku ende një det i tërë na ndan sidoqoftë, për hir të së vërtetës, në realizimin e ambicies sonë për Shqipërinë arsimore...

Ashtu sikundër nuk jam aspak krenar për gjendjen tërësore të universiteteve, të cilën do ta adresojmë me shumë punë, me shumë durim, në bashkëpunim të ngushtë me rektorët, duke synuar njëkohësisht në vijim, përfshirjen sa më shumë në arsimin tonë të lartë të universiteteve publikë ndërkombëtare. Shqipëria 2030 duhet të kthehet në një hab të arsimit të lartë në rajon.” – tha ndër të tjera Rama  duke kritikuar dhe për “gjendjen aktuale të lëvizjes sportive shkollore apo universitare”, si dhe për pagën e ulët të edukatoreve në kopshtet e çerdhet.

Fjalë të mira ai kishte për Kulturën që e drejton Elva Margariti, por ndërkohë vlerësimet për punën në sektorët e tjerë lidheshin me nevojën për më shumë punë e ndryshim në mandatin e tretë në këto sektorë.

Natyrisht që gjithë çfarë kemi bërë në këtë mandat të dytë dhe akoma më shumë çfarë duam të bëjmë në të tretin, lidhet me ekonominë, me financat, me rritjen e vazhdueshme të të ardhura në arkën e shtetit, duke rritur aftësinë qeverisëse të ekonomisë dhe financave të vendit. Më shumë mund të kishim bërë me formalizimin e ekonomisë, por sidoqoftë kemi bërë një punë shumë të vyer me ndërtimin e sistemit të ri digjital të fiskalizimit, prej të cilit presim një hop të madh cilësor dhe sasior në aspektin e administrimit të të ardhurave në mandatin e tretë.”- ishte komenti i kryeministrit për ekonominë.

Ai gjithashtu vlerësoi punën tek Rendi, por foli dhe për sfidat e reja të Policisë së Shtetit.

Ashtu sikundër e mbyllim këtë mandat me shumë rezultate pozitiv në aspektin e luftës kundër krimit dhe rendit publik, por dhe me vetëdije se në vigjilje të mandatit të ri jemi në një udhëkryq të ri, mes stanjacionit në punën e Policisë së Shtetit dhe futjes së një marshi tjetër më të lartë në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të performancës së trupës sonë policore, e cila as që krahasohet me trupën e fillimit të kësaj rruge, por duhet me patjetër të hapë një tjetër kapitull modernizues, për t’u bërë një trupë në lartësinë e pritshmërisë së një vendi që synon të shkëlqejë në tregun mesdhetar të turizmit, duke rritur më tutje, ndjesinë e sigurisë në çdo drejtim.

Fjalë të mira ai tha dhe për diplomacinë, por pa etiketuar me emër ministren Xhaçka e cila prej pak kohësh e drejton këtë ministri.

Në fund të fjalës së tij Rama tha se për zgjedhjen e ministrave të rinj do ta ketë shumë mundësi zgjedhjeje duke pasur parasysh kualitetet që i ofron grupi i ri parlamentar.

Qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme dhe ju natyrisht do të vijoni të gjithë punën deri në minutën e kalimit të detyrës, pa lënë asnjë ditë të shkojë kot. Fatmirësisht kemi një skuadër kampione ku ka shumë zgjedhje për çdo rol dhe kampionati 4-vjeçar që ka nisur të nesërmen e zgjedhjeve të fundit kërkon jo vetëm një formacion të mirë qeverisës, një kryesi të mirë të grupit parlamentar, apo një kryesi efektive të vetë partisë, por edhe një stol rezervash të gjatë, siç i thonë në sportet kolektive, për të pasur në vijimësi mundësi energjizimi të skuadrës.”- tha Rama dje në takimin e fundit me kabinetin e tij, një pjesë të të cilëve pritet të mos ulen më në tryezën e rrumbullakët të Këshillit të Ministrave.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll