Presidenti Ilir Meta thotë se procedura për firmosjen e dekretit në Konsullatën Shqiptare në Stamboll, ishte korrekte dhe transparente.
Meta tha se dekreti iu përcoll në mënyrë elektronike, dhe po në të njëjtën mënyrë e dërgoi në Shqipëri. Sipas tij, Neni 93 i Kushtetutës së Shqipërisë nuk përcakton dhe nuk përkufizon asnjë vend ku mund apo nuk mundet të firmoset dekreti.
Meta firmosi dekretin për lirimin e Bajram Begajt nga detyra e Shefit të Shtabit, pak orë para se të votohej si president i ardhshëm i vendit.
Pjesë nga deklarata e Metës në “Syri Tv”:
Ku është e shprehur kjo? Presidenti përgjigjet për zbatimin e Kushtetutës së Shqipërisë, dhe Kushtetuta në nenin 93 e bën të qartë se Presidenti nxjerr dekrete. I nënshkruan në shtëpi, jashtë territorit, nuk ka asnjë përkufizim apo përcaktim. Në rastin e Presidentit është shumë e qartë kur presidenti është në pamundësi të përkohëshme, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe shfrytëzon kopetencat. E gjitha kjo është një spekullim dhe procedura ka qenë shumë e qartë, shumë korrekte dhe shumë transparente.
Ditën që është nënshkruar një dekret i tillë, në Presidencë është administruar, këtu është protokolli i Presidencës, kërkesa për lirimin. Presidenca edhe kur është presidenti jashtë apo në zyrë, funksionon. Në bazë të kësaj kërkese, zyra ligjore, sekretari i përgjithshëm i thonë presidentit që ka ardhur kjo kërkesë. Synohet të realizohet heqja e një pengese për një çështje, dhe presidenti thotë si mendoni ju? Dhe rasti konkret u veprua sipas rrethanave. Në Tiranë, jo në Stamboll, hartohet dekreti në Tiranë që presidenti është diku dhe nuk ka mundësi të vijë, dhe kjo mund të shkaktojë një krizë. Presidenti me përgjegjshmëri e shikon këtë dekret, ky është origjinali, dekreti vjen nga Tirana, dhe e firmos. E merr në mënyrë elektronike dhe e dërgon në mënyrë elektronike.