Ditën e sotme është firmosur në ambientet e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, marrëveshja konçesionare për ndërtimin e një porti jahtesh në portin e Shëngjinit.
Ministri Haxhinasto tha se ky port me kapacitet 200 jahte, do të sjellë zhvillim për zonën si në aspektin e turistik, por edhe të punësimit. Ministri tha se vlera e këtij investimi shkon në 7 milion dollarë dhe porti duhet të jetë operacional brënda 1 viti.
“Kjo marrëveshje parashikon ndërtimin e një porti turistik, në portin e Shëngjinit, një port i cili do të krijojë një mundësi të madhe për industrinë turistike në atë zonë të vendit. Do të jetë një investim mbi 7 milon dollarë, konceptuar me teknologjinë më moderne të ankorimit të anijeve turistike. Shumë i rëndësishëm do të jetë impakti për zonën, do të ketë një punësim të rëndësishëm, qoftë në fazën ndërtuese por edhe më tej, në fazën e operimit të këtij porti. Ky është një zhvillim pozitiv për portet turistike që janë ndërtuar dhe po ndërtohen në vend, siç është porti i kalasë së Turës në Kavajë. Porti parashikohet të ndërtohet në një periudhë 12 mujore, dëshiroj që të operojnë brënda këtij kalendari dhe sigurisht me kërkesën e vazhdueshme, që punimet të bëhen me cilësinë më të lartë. Porti i Shëngjinit duhet të rrisë shërbimet, volumin, atraksionin edhe nga një investim I tillë cilësor. Ky port do të ketë një kapacitet prej 200 jahtesh, dhe shpresojmë që këtë kapacitet ta arrijë pas 12 muajsh që fillon ndërtimi”, tha ndër të tjera Haxhinasto.