Finlanda është shprehur e gatshme të pranojë refugjatë nga Ukraina. Lajmin e bëri me dije kryeministrja Sana Marin, duke dënuar ashpër pushtimin rus të Ukrainës.
“Ministria e Brendshme finlandeze, nga ana e saj, është e gatshme të pranojë refugjatë nga Ukraina”, u tha Marin gazetarëve.
“Pavarësisht paralajmërimeve të mëparshme këtë mëngjes (sulmi) na tronditi të gjithëve dhe ne simpatizojmë popullin ukrainas,” tha ajo.
E teksa Filanda e gatshme të presë me krahë hapur qytetarët ukrainas, Moldavia do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme pasi ukrainasit dynden drejt kufirit të tyre.
Presidentja e Moldavisë Maya Sandu tha sot se vendi i saj do të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme dhe ishte gati të priste dhjetëra mijëra njerëz që do të dynden nga Ukraina fqinje.
“Komuniteti ndërkombëtar dënon veprimet e Rusisë kundër Ukrainës, kështu që unë thirra një mbledhje të Këshillit të Sigurimit. U vendos që qeveria t’i kërkonte parlamentit të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme,” tha ajo.
“Ne do të ndihmojmë njerëzit që kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë,” tha ajo ndër të tjera.
Ndërsa për Poloninë, Gjermania ka ofruar “mbështetje masive”, si për Poloninë ashtu edhe për vendet e tjera fqinje evropiane, që do të presin ukrainasit.
“Ne ndjekim me shumë vëmendje lëvizjet e refugjatëve drejt vendeve tona fqinje. Ne do të mbështesim vendet e prekura masivisht, veçanërisht Poloninë, nëse ka valë refugjatësh,” tha në një deklaratë Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser.