Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka komentuar raportin e SHBA mbi financimin rus të fushatës së PD në zgjedhjet e 2017.
Në një deklaratë për mediet, ai e cilësoi këtë raport si thashethem të vjetër, ndërsa thekson se duhet të pyeten drejtuesit e kësaj force politike askokohe, pasi ai vetë nuk ka patur asnjë funksion.
“Së pari unë njihem si Gazment Bardhi dhe mbaj përgjegjësi për emrin tim. Ai lajm nuk është i ri , ai është një lajm dhe thashetheme i bërë prej kohësh që ka marrë një përgjigje nga Basha dhe s’kam një koment shtesë. Nëse cënohen marrëdhëniet me SHBA-të, PD do të jetë gjithnjë në krah të SHBA-ve. Për këtë çështje referohuni zyrtarëve të PD-së që kanë qenë në krye të PD-së në ato vite. Në 2017, nuk kam pasur asnjë funksion apo detyrë në PD”, deklaroi Bardhi.
Më herët reagoi edhe ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili u tha se PD nuk ka marrë asnjë financim të huaj dhe aq më pak me burim rus.
“Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus. Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë”, u shpreh Basha.