Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dhënien e mandatave për 4 kandidatët e LSI, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pas dorëheqjes nga mandati i deputetëve të opozitës.
Të premten 4 kandidatë nga lista e LSI dorëzuan formularin e vetëdeklarimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të nisur edhe procedurat për marrjen e mandatit.
Në Qarkun e Tiranës Floida Kërpaçi u zëvendësua nga kandidati i listës së LSI, Ylli Shehu.
Mandati i Endrit Braimllarit i kaloi Edmond Rrushit, i cili ndodhet i dhjeti në radhë në listën e LSI.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha Aurora Mares mandatin e lënë nga Përparim Spahiu në Qarkun e Dibrës.
Ndërsa në Elbasan mandatin e LSI të Edmond Haxhinastos e mori kandidati që vjen pas tij Enver Roshi.
Gjithashtu gjatë mbledhjes së sotme u regjistruan si subjekt zgjedhor, “Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë” dhe “Partia Kristian Demokrate” për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019