Ishte vendosur data 4-9 prill si koha e zhvillimit të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës por tanimë, kjo datë është zhvendosur për në muajin maj.
Arsyeja e kësaj zhvendosjeje ishte pikërisht koha jo e përshtatshme për të interpretuar në qiell të hapur, pasi siç dihet prilli është i ftohtë e me reshje.
Një tjetër shkak që solli këtë ndryshim date ishte edhe fakti që nga zonat e thella malore u kërkua më shumë kohë për t’u përgatitur.
Muaji maj shënon gjithashtu edhe çeljen e sezonit turistik, çka do ta bënte Gjirokastrën një burim atraksioni jo vetëm për vendasit por edhe për turistët e huaj.
Ministrja Kumbaro më herët, ka bërë me dije se është hartuar statuti i festivalit dhe plani i veprimit. Konkurrimet do të bëhen në bazë qarku, me 12 grupe përfaqësuese sipas qarqeve, dhe me rreth 50 artistë pjesëmarrës për secilin prej tyre.