Vera shqiptare nga fshati Fishtë i Lezhës ka shkuar në Vatikan, shkruan newsbomb.al. Një shishe e personalizuar e llojit "AMË Kallmet Rezervë" e prodhuar nga Mrizi i Zanave, ka përfunduar si dhuratë në duart e Papa Françeskut.
Ka qenë Monsinjor Arjan Dodaj, i cili gjatë vizitës në Selinë e Shenjtë i ka dhuruar Papës një shishe verë nga fshati Fishtë dhe një plis shqiptar.
"Kush do e mendonte që një ditë vera jonë AMË Kallmet Rezervë e prodhuar në Fishtë të përfundonte në selinë e shenjtë dhuratë për Papa Franceskun e shoqëruar me një Plis shqiptar si suvenir nga Monsinjor Arjan Dodaj", shkruan sipërmarrësi Altin Prenga.
Ky takim mes Mosinjorit shqiptar dhe Papa Françeskut vjen në prag të 10 vjetorit të vizitës që Ati i Shenjtë bëri në Shqipëri, në vitin 2014.
Sipërmarrësi i Mrizit të Zanave, Altin Prenga thotë se pas produktit cilësor të vreshtave të Fishtës, qëndrojnë dhjetëra familje që punojnë përditë, për të nxjerrë në treg një produkt cilësor dhe superior në treg.
"Një histori ku pas fshihen shumë familje vreshtare kujdestare dhe mirëmbajtës të kësaj toke të bekuar si amanet përjetësie ku i mbijetoj përtej komunizmit kultura vreshtare me një rikthim ma të fortë tek toka si pronë private dhe e drejtë e shenjtë e çdo familjeje", vijon ai.