Sigurimi gjerman është vënë në alarm pas një grafiti me përmbajtje nacionaliste shqiptare, të shkruar në një urë që shërben për kalimin e këmbësorëve mes universitetit dhe spitalit universitar në Regensburg të Gjermanisë.
Sipas mediave vendase, në urë është shkruar fjala “Shqipëri etnike” dhe pranë saj është vendosur shqiponja e zezë dykrenare me mbishkrimin lart të shkurtimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Shkrime të ngjashme janë bërë edhe në kahun tjetër të urës duke bërë që ato të shikohen qartë edhe nga autostrada që kalon aty pranë.
Një zëdhënëse e autoriteteve gjermane ka deklaruar se policia është në dijeni për këtë shkrime, ndërsa janë vënë nën hetim disa persona për dëmtim prone, të cilët mund të kenë dijeni ose të jenë të përfshirë në këtë ngjarje.
Gjithashtu, ajo bën me dije se për këtë rast është informuar edhe sigurimi i shtetit, pasi dëmtimi i pronës ka një sfond të motivuar politikisht.
Organizata paraushtarake ultra-nacionaliste, UÇK luftoi në vitet 1990 për çlirimin e territorit të Kosovës nga forcat shoviniste serbe që vranë, prenë, dogjën dhe dëbuan nga vendet e tyre mijëra shqiptarë.
Mbishkrimi “Shqiperi etnike” tregon për nacionalistët shqiptarë. Termi përshkruan një Shqipëri të Madhe që përfshin të gjitha zonat në të cilat jetojnë shumica e shqiptarëve etnikë.