Demokratët prej ditës së djeshme ndodhen në Strasburg. Pas protestës së mbajtur para ambienteve të Parlamentit Europian ku 30 deputetë të opozitës me pankarta në duar kërkuan lirimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës dhe kolegut të tyre, Ervin Salianji, këtë të mërkurë kanë zhvilluar një takim me eurodeputetin Marco Tarquinio.
Kanë qenë 5 deputetët; Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Albana Vokshi, Flamur Noka dhe Agron Gjekmarkaj ata të cilët kanë zhvilluar një takim me kreun e Komitetit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, Marco Taraquinio.
Bardhi përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë me dije se gjatë këtij takimi vunë në dijeni Taraquinion lidhur me problemet që populli shqiptar po has nga keq qeverisja e kryeministrit Edi Rama.
Përpos detajeve për takimin, kreu i Grupit Parlamentar të demokratëve ka shpërndarë dhe disa foto ku në sy bie modeli i veçantë i flokëve të Agron Gjekmarkajt. Deputeti demokrat shihet me një model flokësh “tepër rinor”, të cilin nuk e kemi parë më herët te ligjvënësit e Kuvendit tonë.