Lulzim Basha ka prezantuar sot programin elektoral të PD-së për vitin e ardhshëm, në një mbledhje të organizuar në Parkun Olimpik me deputetë dhe simpatizantë të partisë, kur na ndan më pak se 1 vit nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Gjatë prezantimit, Bashës i ka ndodhur një incident, pasi janë fikur dritat në sallë.
Për kryedemokratin, ikja e dritave tregon se qeveria aktuale ka frikë nga PD-ja, duke e krahasuar atë me situatën e para 34 viteve.
“Njësoj si para 34 vitesh, kanë frikë nga PD, kanë frikë nga ne! Na hoqën dritat”,- tha Basha.
Ndërkohë për këtë rast ka reaguar edhe zyra e Partisë Demokratike, e cila e cilësoi fikjen e dritave si të paprecedentë nga ana e pushtetit, ndërsa shton se ato i frikësohen opozitës, PD dhe kryetarit Lulzim Basha për shkak të pastërtisë së figurisë dhe alternativës qeverisëse.
“Ky është një rast i paprecedent i pushtetit, i cili, ndërkohë që investohet për të mbajtur në lojë ata që dëmtojnë opozitën, kanë frikë nga PD dhe nga Basha, për shkak të pastërtisë dhe alternativës së tyre qeverisëse. Është hera e parë që ndërpritet energjia elektrike në një Kuvend Programor në një kohë që prej kohësh nuk ka pasur probleme me energjinë në Shqipëri”,- thuhet në njoftimin e zyrës së PD-së.