
Teksa ditët kalojnë dhe fushata drejt 11 Majit bëhet edhe më e ethshme, dy kandidatët e Partisë Socialiste në Tiranë, Erion Braçe dhe Delina Ibrahimaj kanë realizuar një fotografi pranë banerit të Jorida Tabakut për të treguar se në terren ka edhe momente relaksi.
Ata po vazhdojnë takimet me elektoratin e tyre dhe qytetarët e Tiranës, për t’i bindur t’i besojnë Partisë Socialiste edhe për një mandat të katërt, ndërkohë që në rrugë janë hasur me një baner elektoral të Jorida Tabakut.
Braçe dhe Ibrahimaj janë pozicionuar përballë tij dhe duke qeshur pozojnë me dy gishtat lart, në mbështetje të kandidates së Partisë Demokratike. Jorida Tabaku garon në listat e hapura të Tiranës.
Po ashtu, edhe deputeti socialist Erion Braçe është transferuar në prag të zgjedhjeve në Tiranë nga Divjaka dhe është lënë në listë të hapur, pasi ekipi i kryeqytetit u riformatua me burgosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj nga SPAK.
Ministrja Delina Ibrahimaj është më e favorizuar se kolegu i saj dhe kundërshtarja Jorida Tabaku, pasi Edi Rama evendosi në listën e sigurt të Tiranës. Epo në këto ditë pranverore që bëhen edhe më “të nxehta” nga euforia e fushatës, ka vend edhe për pak relaks dhe humor.
