"Çelësi shqiptar" quhet instalacioni që ka nisur të vendoset në hyrje të Shkodrës dhe që ka krijuar jo pak polemika në kryeqendrën e veriut. Një vepër e artistit Alfred Mirashi – Milot, i cili u shpall fitues i konkursit ndërkombëtar “Art në Hapësirën Publike”, nga Ministria e Kulturës.
Siç shihet nga një krahasim me sy të lirë, dimensionet e realizuara në terren janë më të mëdha se ato të projektuara nga autori dhe i japin "Çelësit shqiptar" një formë të çuditshme.
Ish-deputeti Nard Ndoka, i njohur gjithashtu për humorin e tij pikant, i ka vendosur pikat mbi "i" projektit. "Ju është dhi çelsi rrugës..!", shkruan ai mes dhjetëra komentuesve në rrjetet sociale, të cilët gjithashtu ironizojnë përmasat dhe simbolin e instalacionit.
"Çelësi shqiptar" po vendoset në hyrje të Shkodrës, në vendin që njihet si rrethrrotullimi tek Bexhisteni.
Mesazhi që kjo vepër përcjell sipas autorit, është ai i dyerve të hapura, mirëkuptimit, tolerancës dhe respektit në mes njerëzve, për t'i dhënë mundësi të barabarta të gjithëve. Në fund të marsit 2023, një vepër të ngjashme të artistit shqiptar Alfred Mirashi- Milot, mirëpriti edhe qyteti i Napolit në Itali.