Lideri historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano, prej ditësh ndodhet i shtruar në një nga spitalet private në Tiranë. Newsbomb.al mëson se që prej javës së kaluar ish-kryeministri ndodhet në spitalin “Hygeia”.
Pas komplikacioneve me frymëmarrjen Nano u dërgua në spital ku dhe përgjatë gjithë këtyre ditëve ka qenë nën kujdesin e mjekëve në reaminacion.
Burime për newsbomb.al bëjnë me dije se tani gjendja shëndetësore e ish-kryeministrit është stabilizuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai ka dalë nga intubimi dhe niveli i oksigjenit po normalizohet.
Fatos Nano është ndër politiknët e shquar në vend. Ai është themeluesi dhe kreu i parë i Parisë Socialiste në Shqipëri.
Fatos Nano ka mbajtur postin e lartë si kryeministër i vendit në 1991, u rizgjodh më pas në 2002 dhe mbajti këtë post deri në 2005. Nano kërkoi të zgjidhej si president në 8 korrik 2007 mbas mbarimit të mandatit të presidentit Alfred Moisiu, por nuk pati mbështetjen e Edi Ramës.