Kryeministri Edi Rama i ka dedikuar një shënim me fjalë zemre ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili prej ditësh ndodhet i shtruar në një spital privat në Tiranë. Ai njofton dhe nderimin me Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike.
Rama e nis mesazhin me burgosjen e Fatos Nanos kur Partia Socialiste ishte në opozitë dhe dhe thotë se heqjen e lirisë, ai e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes.
Lexo edhe: Fatos Nano prej ditësh në spital, ish-kryeministri drejt përmirësimit
Lideri historik i Partisë Socialiste, thotë Edi Rama, meriton sot lutjet e të gjithëve dhe mirënjohjen për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme.
Neësbomb.al raportoi tre ditë, nga burime të afërta të ish-kryeministrit, se Nano ishte drejt përmirësimit por mesa duket gjendja shëndetësore e tij është përkeqësuar përsëri. Edhe vetë Rama shkruan se lideri socialist është duke luftuar për jetën.
Mesazhi i plotë i Edi Ramës, për Fatos Nanon:
LUTEM PËR FATOS NANON
Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik, nga izolimi i tejskajshëm komunist drejt demokracisë si sprovë e tejmundimshme, në një tokë të djegur prej zjarrit e hekurit të perandorive e regjimeve që pasuan njëri-tjetrin qysh prej pavarësimit të Shqipërisë, ku nuk u rrit dot kurrë shtati institucional i shtetit e ku liria e ardhur me furinë e zemëratës popullore solli bashkë me dritën e së ardhmes edhe plagët e tmerrshme të shkatërrimit të shumëçkaje në emër të luftës për demokraci, meriton sot lutjet tona dhe mirënjohjen tonë për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme.