Fatos Klosi, ish-drejtor i Shërbimit Informativ të Shtetit në një intervistë ekskluzive për Newsbomb.al thotë se vendimi i fundit i DASH për Sali Berishën i ka pëlqyer shumë dhe ishte momenti I duhur të ndërmerrej. “meritat ti thotë vetë ai, zullumet duhet tia kujtojnë të tjerët”, thotë Fatos Klosi që është përplasur jo pak herë me Sali Berishën. Ky i fundit e ka akuzuar si vrasës ish-shefin e SHISH, por Fatos Klosi, rrëfen në këtë intervistë, se SHBA ka informacion të bollshëm për vrasjet që dihen dhe nuk dihen të kryera me urdhër të Sali Berishës, dhe korrupsionin galopant të tij. “Erdhi në Tiranë me valixhe druri, sot është familja më e pasur në Shqipëri” perifrazon Klosi.
Si e pritët vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit?
Sigurisht më pëlqeu. Më pëlqeu që më në fund DASH u prononcua, pasi unë e ndjeja prej kohësh që ata kishin informacion lidhur me shumë ngjarje që ata nuk kishin qenë dakord me Berishën qoftë me korrupsionin qoftë në veprimtarinë e tij politike. Aty thuhet, në vecanti për periudhën kur ishte kryeministër, por ata kanë pasur akuza që në kohën që ishte President. Thashë më në fund… e lidha natyrisht me Reformën në Drejtësi. Reforma në drejtësi po zgjatet nga politikanët vendas dhe duhej një shtytje e tillë për të thënë se asnjë s’është i paprekshëm dhe ai ka qenë politikani më I ashpër më I paprekshëm…
Kur thoni më I ashpër dhe më I paprekshëm…?
Më i ashpër me metodat e tij. I ashpër në kuptimin që ai nuk është ndalur para asgjëje për të arritur qëllimet e veta. Unë them deri në vrasje, por natyrisht nuk janë gjëra që përmendeshin në atë deklaratën e DASH. Ata merreshin me korrupsionin dhe cënimin e demokracisë.
Kur thoni deri në vrasje, cilës vrasje I referoheni konkretisht? Asaj të Remzi Hoxhës? Azem Hajdarit?
Po sigurisht, dhe atyre të katër të vrarëve në Bulevard, ato që dimë ne dhe di populli zyrtarisht. Sepse ka ngjarje të tjera plot që nuk janë bërë publike.
Cilat janë këto ngjarje?
Po kur them se nuk janë bërë publike, kjo do të thotë s’janë bërë për mua, por që unë e di që janë, ekzistojnë.
Po i referoheni një ngjarje të veçantë?
Po edhe të veçanta.
Po kjo nuk ndahet dot me publikun?
Po derisa nuk është ndarë nga asnjëra palë, se kanë ndarë as ata që u intereson, pala e Berishës, por edhe këtej matanë nuk është se ka pasur tentative për ta zbuluar…tani të shpresojmë që do të merret prokuroria.
Këto janë vrasje politike apo të tjera?
Po u referohem edhe vrasjeve të Tropojës. Ai që është brenda (shen. red. Izet Haxhia) pretendon ti tregojë. Janë vrarë me dhjetëra persona…Në këtë kuptim them ka qenë i ashpër. Ju e keni parasysh një regjistrim që është bërë: “ma sillni këtu, gjallë a vdekur” për vëllain e Fatmirit (shen.red Fatmir Haklaj). Kur ua thotë plot njerëzve në miting, që ma sillni këtu të gjallë apo të vdekur, ai njeri s’e kishte problem fare për tu ruajtur. Kaq i ashpër ishte. Se ç’a bëhej nëpër zyra pastaj, merret me mend.
Pra në këtë kuptim them se e prita me gëzim këtë vendim, se reforma në Drejtësi, ka një rast, ka një shembull me të cilën duhet të merret dhe në të cilën do ta mbështesë DASH.
Ju mendoni se me këtë vendim të DASH drejtësia shqiptare do të hapë ato dosje që pluhuri i harresës i ka lënë të mbyllura?
Unë them se drejtësia duhet të punojë, jo “do të punojë” sepse këtë nuk e di. Nuk jam atje brenda që të njoh atmosferën. Por normalisht duhet të punojë. Nëse DASH thotë se ka korrupsion që ka cuar në pasurimin e familjes së tij, të aleatëve dhe ka veprime që kanë penguar demokracinë, unë besoj se Drejtësia shqiptare e di që DASH nuk është institucion I papërgjegjshëm që flet kot për ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e një vendi. Pra për njeriun më të rëndësishëm të të gjithë tranzicionit në vend. Që ka qenë më kohëgjatë, por edhe më vendimmarrës.
Unë e di në mbledhje serioze që bëheshin në atë kohë në Këshillin e Sigurimit: diskutoheshin ngjarjet, merreshin edhe vendimet dhe në fund dikush thoshte: Po Berisha, si do reagojë? Dhe fillonte mbledhja nga fillimi. Dmth, dhe kur nuk ishte në pushtet, figura e tij ishte e pranishme në të gjitha vendimet që merreshin, sepse ai gjithë kohën e ka mbajtur situatën e tensionuar.
Ai me të humbur zgjedhjet e ’97, bëri kryengritjet e Shkodrës, dy njera pas tjetrës, që ta shkëpuste nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Dhe pastaj ndodhi vrasja e Azem Hajdarit…
Pikërisht për këtë vrasje, Berisha ju ka akuzuar ju…
Sigurisht, sigurisht, por ai kishte në dorë që akuzat për mua ti conte zyrtarisht në prokurori. Nëse kishte vertet informacion që e kisha bërë unë. Por as më thirri kush. Bile unë u çudita njëcikë se nuk më thirrën as në procesin hetimor, e as atë gjyqsor për cështjen e Azem Hajdarit. Po për sa kohë që Berisha ishte ish kryetar I opozitës, ish-president I vendit, një vit kishte që kish lënë presidencën, bën një akuzë shumë serioze, ma bëri dhe në komisionin hetimor pasi kisha ikur nga SHISH se “unë isha ai që kisha vrarë Azem Hajdarin”, “unë isha ai që kisha vrarë ministrin e mbrojtjes së Kosovës, Krasniqin”, të gjitha janë akuza, që nuk janë të rëndësishme në gojën e Berishës por asnjëherë nuk guxoi ti conte në Prokuri. Nuk guxoi të shkonte në prokurori, edhe pse u kërkua prej tyre për procesin e Azem Hajdarit; nuk pranoi të deponojë, megjithëse 20 minuta pas vrasjes deklaroi se kush kishin qenë vrasësit, nga ikën e si ikën. Ndërkohë që policia s’dinte asgjë ai deklaroi se kush ishin vrasësit. Pra ai ka qenë në qendër të të gjithë ngjarjeve të rëndësishme, fatkeqësisht, negative për këtë vend. Që nga 92 e deri më sot…Sigurisht është dora e tij që nga lajmërimi që do fitonin në zgjedhje e deri tek dalja e rezultateve dhe deklarimi “na i vodhën”.
Një ndër hipotezat është se vendimi u mor në këtë moment se po planifikohej nisja e protestave…
Mbase zgjedhja e kohës kishte lidhje me këtë. Por që Berisha ishte i korruptuar, është ditur që në kohën që unë kam qenë në SHISH dhe ne kemi biseduar për këtë problem dhe me ta. Natyrisht jo me Departamentin se nuk kisha lidhje me të, por me organet e tyre të specializuara. Nuk është një fenomen I ri që ata e morën vesh para 8 vitesh. Për këtë është disktuar gjatë dhe informacionet I kanë pasur. Ndoshta ishte momenti I përshtatshëm për ti thënë tani. Sepse tani, Shqipëria ka një drejtësi, shpresojmë, të re. Një reformë që asnjë politikan të mos ndërhyjë dot në të dhe drejtësia të mos tërhiqet. Përvec informacioneve dhe bindjes që kanë pasur, tani u shtuan edhe disa rrethana plotësuese, për hetimin zyrtar dhe daljen më pas me një vendim për të gjithë politikanët, dhe midis tyre më kryesori Sali Berisha.
Po ta thonin tete vite më parë këtë gjë natyrisht do bënte zhurmë, kur ai la kryeministrinë. Por nuk do shkonte dot më larg. Sepse drejtësia ishte e gjitha e tij. Nuk do kishte ndonjë efekt praktik. Sot problem është ndryshe. Tani ka ardhur koha që deklaratat që ata bëjnë, të zënë vend. Ti jepet mundësi drejtësisë shqiptare që fillimisht t’i dalë frika, që nuk komandon më Berisha, nuk komandojnë më politikanët. Sistemi i drejtësisë është i pavarur dhe të mos hezitojnë të mos merren me cështjen që dikur ka qenë një patate e nxehtë. Pra mund ta nisnin dhe mund të bitiseshin, pra vec kur ta shihnin veten se i kishin hequr nga ato cështje. Tani ndoshta s’do ndodhin të tilla gjëra dhe prokurorët e gjykatësit mund të jenë më të qetë që politika nuk u ndërhyn dot. Ndaj mendoj se u zgjodh ky moment.
Natyrisht ka të bëjë edhe me atë që thatë ju: mbase mendohej një destabilizim për zgjedhjet. Po ti shikosh gjërat janë të lidhura dhe në rajon. Deklarata që bën rusët për Bosnje Hercegovinën si territor me interes për ta…dmth duket se ka një përplasje. Tani vjen momenti për të qetesuar rajonin. Të përballesh me presionin rus këto vende duhet të jenë të qeta. Dhe që këto vende të jenë të qeta, drejtësia duhet të thotë fjalën e saj për të gjitha cështjet që I kanë mbajtur këto vende të paqeta.
Megjithatë ishin SHBA që thanë “burrë shteti” për Sali Berishën pas vrasjeve të 21 janarit 2011 në bulevard…
Unë nuk e di se ç’qëndrim është mbajtur për atë deklaratë. Atëherë ashtu duhej. Pse? Kishte një tentativë për tu acaruar situata, pavarësisht se PS bëri demonstrate shumë të qeta pas vrasjes së tyre, u shëtit në boulevard në heshtje dhe ata e patën këtë shqetësim që situata mund të destabilizohej. Dhe bënë një deklaratë për të thënë se nuk duhet të shkohet në destabilizim. Sollën një ekspert nga FBI që deklaroi se armët kishin qenë të Gardës, dmth teknikisht ata kontribuan për të gjetur fajtorët por bënë dhe këtë deklaratë që të mos shtyhej me tutje dhe ti lihej drejtësisë. Drejtësia u mor me peshqit e vegjël dhe nuk e acaroi situatën. As Lul Bashës nuk I hyri asnjë gjemb në këmbë që ishte Ministër i Brendshëm dhe që e shihte demonstratën nga tarraca e kryeministrisë. Dhe Berisha e mbajti gardën brenda kryeministrisë. Aty mjekoi dhe gardistët e plagosur për tre ditë me radhe pa i çuar në spital. Dhe zhdukën serverin e kryeministrisë…dhe tani u la në harresë ajo punë.
Tani mesa duket u poqën kushtet që gjërat të vihen në vend. Ky është rreth vicioz. Kjo ndihmon reformën dhe reforma ndihmon në pastrimin e politikës.
A mund të ketë kaq fuqi Berisha tani në pleqërinë e tij të ndikojë për të penguar zhvillimet, qoftë për reformën?
Nuk është problem vetëm për Berishën. Ai e tha dhe në deklaratën e tij që unë kam 8 vite që kam dalë mënjanë dhe nuk jam në vendimmarrje. Po problem është për gjithë politikën shqiptare. Berisha është tipiku. Ai që ka pasur dorën e fortë. Ai që ka vendosur për gjera të rëndësishme në këtë vend dhe ka gabuar më shumë se të tërë. Po gjithë politika shqiptare ka gabuar. Ndaj nga kjo pikëpamje nuk është se po merret hak ndaj Berishës për ato që ka bërë. Por po jepet një mesazh: nuk ka më politikan të paprekshëm. Këtë quaj unë të rëndësishme: që kur ngacmohet Berisha, (megjithëse ai ka bërë zullumet më të mëdha) dhe mirë ia kujtuan: ka ardhur në Tiranë me valixhe druri dhe familja e tij tani është bërë nga më të pasurat me djalin e vajzën se nuk kanë pasur biznese kush e di se çfarë. Fakti që ai ka qenë kryeministër, ky është një shembull shumë i keq për gjithë shoqërinë shqiptare, që politika të pasuron. Dhe kësaj gjëje duhet ti vendoset kurifi. Shpresoj që ky shembull të jetë nxitës që prokurorët dhe gjykatësit të mos kenë frikë nga politika; dhe politikanët e rinj të hyjnë në politikë jo për tu pasuruar, por për të bërë këtë vend.
A do të ndikojë kjo në strukturat e PD?
Unë them se duhet të ndikojë. Pavarësisht se berisha është figurë e vecantë. Ka shumë vota mbi të tjerët që i ka marrë ai vetë. Dhe deklarata që beri vetë Berisha do kontribuojë në këtë gjë. Ata akoma do ta mbajnë si liderin e tyre. Si heroin e tyre. Që guxoi të sfidojë dhe DASH dhe tu thotë se e keni gabim se unë jam burri më i mirë i mundshëm.
Po në fakt disa merita duhet tia njohim Berishës: hyrjen në NATO, liberalizimin e vizave, Rrugën e Kombit…
Na mori NATO neve, nuk mund të lihej Ballkani bosh. Unë nuk them se ai nuk ka merita. Në fund të fundit, ka qenë një zyrtar i vendosur, me eksperiencë se 30 vjet në politikë. Por për mua ka më shumë zullume. Për meritat do tia kujtojë historia, historianët do shkruajnë edhe për meritat dhe defektet. Për meritat, i thotë vetë ai, për zullumet, duhet të merren të tjerët.
Intervistoi: Anila BASHA