Një ditë para se ajo të vendosë mbi “fatin” e tij, ish kryeministri Sali Berisha e ka sulmuar sërish gjyqtaren Irena Gjoka.
Në një bashkëbisedim me ndjekësit e tij në “Facebook”, Berisha nga zyra në shtëpinë e tij ka thënë se gjyqtarja nuk ka ndërgjegje profesionale dhe se është një njeri i kapur, dhe jo i lirë ashtu si dhe një njeri i drejtësisë duhet të jetë.
“Gjyqtarja nuk ka ndërgjegje profesionale. Gjyqtarja është e kapur, nuk është një njeri i lirë. Natyrisht ajo nuk jep dorëheqjen, iu kërkua dorëheqja asaj, iu dha mundësia. Por ajo faktoi se ajo është njeri fund e krye i kapur për problemet e saj”, tha Berisha.
Ditën e nesërme, 26 dhjetor në orën 10:00, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të vendosë nëse ndaj ish-kryeministrit do të jepet masa “arrest shtëpie”.
Kërkesa e SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit u bë ditën e premte menjëherë pasi mori autorizimit nga Kuvendi, të cilët me 75 vota i hoqën imunitetin duke i hapur rrugë kërkesës së Prokurorisë. Më herët u bë me dije se SPAK i ka kërkuar GJKKO-së “arrest shtëpie” për ish-kryeministrit. Pritet që nesër ta pranojë këtë kërkesë, pasi më parë do të dëgjojë palët, prokurorët e SPAK dhe avokatët mbrojtës të Sali Berishës.
LEXO EDHE: Shqiptarët kremtojnë Krishtlindjet, Berisha: Po i festojmë në diktaturën e Ramës