Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Fati i Berishës vendoset të shtunën, shtyhet gjyqi për kërkesën për arrest

Shkruar nga Newsbomb
Fati i Berishës vendoset të shtunën, shtyhet gjyqi për

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë për të shtunën në orën 12:00, dhënien e vendimin për masën “ Arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Në një komunikim të shkurtër me gazetarët, avokati i Berishës, tha se kërkesa për depozitimin për përjashtimin e gjyqtares ka një afat prej 3 ditësh, prandaj gjykata e ka shtyrë seancën.

"Siç u njoftuam dje kërkesa për depozitimin për përjashtimin e gjyqtares ka një afat prej 3 ditësh... gjykata e shtyu deri në orën 12 të shtunën. Të shohim deri në atë moment se çfarë vendimi. Akoma nuk e kemi dorëzuar... sot kemi marrë provat pasi kërkesa nuk bëhet pa prova.. me provat që ne mendojmë që mbështesin përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Janë ato prova që provojnë njëanshmërinë e gjyqtares,"- tha Gjokutaj.

Ish-kryeministri më herët ishte në një konferencë me gazetarët duke folur lidhur me situatën politike në vend dhe me atë çfarë është duke ndodhur.

Njëjtë si dhe në seancat e kaluara në Gjykatë Berisha dërgoi dy avokatët e tij, Geng Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, ndërsa vetë para orës 15:00 shkoi në banesën e tij për të pritur vendimin që GJKKO pritet të japë. Ai shoqërohej nga dy demokratët Flamur Noka dhe Belind Këlliçi.

Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha kërkuan të shtyjnë sërish seancën në GJKKO për caktimin e masës së sigurisë ndaj klientit të tyre.

Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi kërkuan audion e seancës dhe procesverbalet, për të provuar njëanshmërin e gjyqtares Irena Gjoka. Ditën e djeshme, GJKKO rrëzoi kërkesën e Sali Berishës për përjashtimin e  gjyqtares Irena Gjokës. Berisha pretendon se ka konflikt interesi pasi në vitin 1996 e ka shkarkuar nga detyra, mirëpo habia qëndron te fakti se 6 muaj më vonë e ka emëruar në një tjetër post, duke hedhur poshtë aludimet e tij.

Kujtojmë se pak ditë më parë, me 75 vota pro Kuvendi i Shqipërisë i hoqi imunitetin e deputetit, ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i hapur në këtë mënyrë rrugë SPAK-ut për arrestimin e tij lidhur me aferën e ish-kompleksit Partizani. Lideri historik i Partisë Demokratike nuk e pranoi këtë vendim, duke e cilësuar si ilegjitim në shkelje me Kushtetutë.

Sali Berisha është vënë nën hetim nga SPAK për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” lidhur me aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani në Tiranë. Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi ranë në pranga për të njëjtën çështje, por për ish kryeministrit nuk u mor e njëjta masë.

Shkak për këtë gjë është bërë mosha e thyer e Berishës, i cili dy muaj  më parë festoi ditëlindjen e 79-të. Si dhe pasaporta e ish-kryeministrit është bllokuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, duke i hequr atij mundësinë për t’u larguar jashtë vendit. Mirëpo ekziston mundësia që GJKKO të vendosë dhe arrest me burg, në rast se e kërkon Prokuroria, pasi pika 2 e nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale thekson se në raste të veçanta, masa e sigurisë mund të ketë këtë formë shtrënguese, kur vepra penale e konsumuar ka parashikim dënimi deri në 10 vite.

Ai është një ndër zyrtarët më të lartë të shtetit për të cilin kërkohet një masë sigurimi, duke u bërë i pari ish-president i Republikës që ka hesape të hapura me drejtësinë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese