Anëtari i Këshillit të PD, Fatbardh Kadilli foli për situatën politike në Partinë Demokratike, duke u shprehur se kjo forcë politike duhet të jetë një lokomotivë që të tërheqë dhe të përkrahet nga shqiptarët.
Gjatë një interviste në “News24” Kadilli e cilësoi Kuvendin e 30 prillit si të zakonshëm, pasi sipas tij nuk u ofrua asnjë program. Ai u shpreh se më 6 mars, nuk duhej të garohej mes njëri-tjetrit, por të luftohej për të siguruar ato bashki që kishin kryetarë të shkarkuar.
“Pjesa më e mirë është rezoluta. Ajo shpreh vullnetin e qartë që Partia duhet të distancohet nga bojkotet dhe disa praktika, si lobimi. Unë jam i bindur që kjo ishte pjesa e vetme pozitive. Pjesa negative ishte që Kuvendi nuk dha entuziazëm jashtë PD. Nëse ne demokratëve nuk i flasim, por merremi se cili është deputet, kujt i hyn në punë kjo? Atij që nuk ka paratë për të paguar detyrimet e larta nga energjia e shtrenjtuar. Edi Rama interesohet për të mbajtur pushtetin, pavarësisht orarit. Ndryshimi mungon. Kemi 1 vit e një javë që merremi me veten tonë, jo kundërshtarin. Garën më 6 mars e kishim kush fiton më shumë vota mes nesh. Qytetarët donin qeverisje të re në Dibër, Lushnje, sepse ishin shkarkuar kryetarët. Kryetarët kishin braktisur qytetin, ata do të donin një zgjidhje të re. Nëse partia katandisët për t’i rënë në sy kryetarit, kjo parti s’ka më ecuri. Zoti Berisha është gjithmonë presidencial në sjellje. Unë s’kam surpriza prej tij. Po sqaroj demokratët dhe po i them që të mos tërhiqen nga pasioni. Masën e demokratëve ai e ka me vete. Kësaj i bëj thirrje, ai e ka masën e demokratëve me vete, por puna është mos e mbaj me vete”, u shpreh anëtari i PD.
Ndër të tjera Kadilli komentoi edhe shpalljen non grata të Berishës, ku tha se është një vendim politik dhe nuk ndikon në marrëdhënien e Berishës me PD. Berisha sipas tij ka shumicën në parti, por duhet të lejojë një lidership të ri.
“Kam qenë i pari që i kam bërë thirrje Berishës që duke besuar se do e ndiqte personalisht, kam bërë thirrje që PD s’duhet të prishë raportet me Amerikën. Asnjëherë skam dashur ta shoh këtë çështje si një çështje që vjen nga DASH, por politik. Ata u shprehën dhe thanë që Putini është diktator, në Rusi thonë që jo. Ky është vlerësim politik i tyre. Konsideratat e mia politike s’kanë lidhje me faktin që është non grata. Për mua Berisha nuk duhet të kandidojë. Jo sepse është shpallur non grata, janë gjëra të ndara. PD duhet të prodhojë lidership të ri, pengesë është Berisha sepse ai e kontrollon partinë. Unë i bëj thirrje që ta çlirojë”, tha Kadilli.