
Një video e hedhur online tregon një moment sa qesharak dhe aq turpërues për një prej figurave më të njohura dhe të përfolura që sillen në oborrin e politikës së lartë të Tiranës dhe madje diktojnë edhe vendimet e saj.
Personazhi në fjalë është Fahri Balliu, i cili, nën shoqërinë e disa miqve është ulur në një tavolinë rrumbullake, në një lokal në ish-Bllok, që tashmë është rikonstruktuar dhe mban emër tjetër. Pasi ushqehet me bukë dhe asortimente të tjera që janë brenda një qeseje marketi, Balliu merr ujin e pijshëm të sjellë bashkë me kafetë dhe lan duart poshtë tavolinës. Filmimi duket se është bërë nga një klient që ndodhet përballë tij, nën një diell të ngrohtë pranveror, rreth një vit më parë.
Balliu është i njohur prej vitesh si gazetar i gazetës së PPSH-së ‘Zëri i Popullit” dhe më pas edhe si botues i gazetës “55” tashmë të mbyllur në versionin print, por që vijon betejën ‘opozitare’ online. Shkaktoi shumë polemika me botimin e librave si “Berisha përmes kasandrave”, ku himnizonte figurën e ish-presidentit të asaj kohe dhe për librin “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha”, ku denigronte figurën e bashkëshortes së ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha. Balliu njihet si mik i ngushtë i Sali Berishës, Lulzim Bashës, Ilir Metës, por edhe disa figurave të të majtës.
Gjatë qeverisjes 8-vjeçare të Berishës si kryeministër (2005-2013) përdori ndikimin pranë tij për të përfituar përmes investimeve të ndryshme, siç ishte mbikalimi të Kthesa e Kamzës, apo edhe përfshirja e vajzës së tij, Henris Balliu, bashkë me Mihal Delijorgjin në tragjedinë e Gërdecit, pas shpërthimit të fabrikës ilegale të demontimit të municioneve luftarake në 15 mars 2008, ku mbetën 26 të vrarë, qindra u plagosën dhe u shkaktuan dhjetra milionë euro dëme, siç raportonte edhe një kabllogram i ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers, i datës 17 prill 2009, dërguar Departamentit të Shtetit.
Falë ndikimit të tij te kreu aktual i PD-së, Basha, Balliu arriti të fusë në listë të sigurtë dhe të bëjë deputet të birin, Klevisin, i bërë i njohur për sherret në parlament, apo për udhëheqjen e protestës së banorëve të zonës së Astirit, kundër projektit të Unazës së Madhe.