Ish-ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka shkruar një mesazh falenderimi pas shkarkimit nga posti, për kolegët, mësuesit dhe pedagogët me të cilët ka punuar në ministri, dhe siç thotë, ka realizuar shumë reforma transformuese.
"Të shërbeja si Ministre e Arsimit dhe Sportit për vendin tim ka qenë nderi më i madh në jetën time, për të cilin kam punuar çdo ditë me mendje e zemër, me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë, për ta përmbushur me sukses e për të bërë më të mirën në çdo hap", shkruan ajo.
Kushi falenderon dhe sportistët kombëtarë të cilët kanë shkëlqyer në garat ndërkombëtare, duke thënë se ata sot vlerësohen me më shumë dinjitet dhe Shqipëria është ngritur në një nivel të ri në arenën ndërkombëtare.
Lexo edhe: Ministrat e kabinetit “Rama 3”, Kuvendi shkarkon të vjetërit dhe voton të rinjtë
"Jam e bindur që Ogerta do të vijojë në rrugën e reformave të nisura, për ta ngritur më lart cilësinë e arsimit dhe sportit, drejt standardeve më të mira bashkëkohore, siç e meritojnë fëmijët dhe të rinjtë tanë", thotë për pasardhësen e saj.
Evis Kushi i shpreh mirënjohjen dhe kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen për të përmbushur me sukses detyrën si ministre e Arsimit.
Mesazhi i plotë i Evis Kushit:
Të shërbeja si Ministre e Arsimit dhe Sportit për vendin tim ka qenë nderi më i madh në jetën time, për të cilin kam punuar çdo ditë me mendje e zemër, me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë, për ta përmbushur me sukses e për të bërë më të mirën në çdo hap.
Dua të falënderoj thellësisht të gjithë ata që i kisha në krah përgjatë këtij rrugëtimi, mësues, pedagogë e kolegë në ministri, me të cilët kemi kapërcyer shumë sfida të vështira në këto tre vite, veçanërisht pasojat e tërmetit dhe pandemisë, por edhe kemi realizuar shumë reforma transformuese, që do të kenë impakt për shumë kohë në të ardhmen, që nga abetarja e përbashkët unike, përmirësimi i infrastrukturës arsimore, digjitalizimi e deri tek ndërkombëtarizimi i universiteteve.
Shumë faleminderit edhe çdo sportisti që ka ngritur lart flamurin kuqezi, duke na dhuruar krenari dhe emocione të paharruara me medaljet e fituara! Falë punës sonë të përbashkët, sportistët sot vlerësohen me më shumë dinjitet dhe Shqipëria është ngritur në një nivel të ri në arenën ndërkombëtare.
Mirënjohje pa fund për Kryeministrin Edi Rama që më dha besim dhe mbështetje të pakursyer për ta përmbushur me sukses këtë mision të lartë!
Jam e bindur që Ogerta do të vijojë në rrugën e reformave të nisura, për ta ngritur më lart cilësinë e arsimit dhe sportit, drejt standardeve më të mira bashkëkohore, siç e meritojnë fëmijët dhe të rinjtë tanë.